Ali Ahmeti nga Gostivari: “Kur kombi është në rrezik, s’na duhen parti, nuk do të lejojmë të na shkelin mbi gjakun e dëshmorëve” (VIDEO)

Në tubimin madhështor në Gostivar nga Aleanca Kombëtare për Integrim , lideri Ali Ahmeti, dha një mesazh të fuqishëm dhe emocional për unitet kombëtar, duke theksuar se në momente kur kombi shqiptar përballet me rrezik, interesat partiake humbin rëndësinë.
“Kombi është mbi të gjitha. Kur kombi është në rrezik, nuk ka rëndësi partia. S’na duhen parti kur tentohet të mohohet gjuha jonë, kur shkelet mbi gjakun e dëshmorëve, kur na kthehen nepërkat dhe hijenat e hershme për të na shkelur edhe barin mbi varre,” deklaroi Ahmeti, njofton TS.
Ai paralajmëroi se rikthimi i politikave anti-shqiptare dhe tentativat për të minuar të drejtat e arritura përmes gjakut dhe sakrificave, nuk do të tolerohen. “Kushdo që mendon se mund të kthejë prapa gjuhën shqipe, përfaqësimin dhe dinjitetin tonë, le ta dijë se shqiptarët janë më të bashkuar se kurrë,” tha ai.
Ahmeti gjithashtu bëri thirrje për pjesëmarrje masive në zgjedhjet e 19 tetorit, duke theksuar se “vota është arma jonë më e fortë për të mbrojtur atë që kemi fituar me shumë mund dhe sakrificë.”
Me këtë fjalim, Ali Ahmeti vendosi theksin mbi rëndësinë e bashkimit kombëtar dhe ruajtjen e arritjeve historike në një moment kyç për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut./TS