Patriotizëm i rremë në emër të kanalizimeve – Shfaqja e trishtueshme e Kaltrina Zekolli Shaqirit në Luboten

Nga njëra anë, lot për dëshmorët. Nga ana tjetër, buzëqeshje e gjerë përpara kamerave në krah të Hristijan Mickoskit. Kjo është skena e fundit e paradoksit politik shqiptar që u shfaq ditët e fundit në Luboten – një fshat simbol, që sërish po përdoret si skenë për manipulime politike dhe për fushata që nuk kanë asgjë të përbashkët me interesin kombëtar, shkruan PressOnline.al
Zëvendësministrja e Transportit dhe Lidhjeve, Kaltrina Zekolli Shaqiri, u shfaq në Luboten së bashku me liderin e VMRO-DPMNE-së dhe kandidatin e kësaj partie për Butel, në një vizitë që u promovua si “inspektim i punimeve infrastrukturore”. Por ajo që u pa nga të gjithë ishte një përpjekje e dështuar për të kamufluar një fushatë të hapur politike në prag të zgjedhjeve, për llogari të një partie që ka ndërtuar karrierën e saj politike mbi mohimin, nënvlerësimin dhe shtypjen e shqiptarëve.
Zekolli, me një gjuhë të ashpër dhe akuzuese, u përpoq të legjitimojë praninë e saj në këtë fushatë si “punë konkrete” për qytetarët. Ajo akuzoi të tjerët për 20 vite neglizhencë dhe heshtje ndaj Lubotenit, duke e paraqitur veten si shpëtimtare të vonuar që brenda një viti e gjysmë ka zgjidhur gjithçka – nga uji i pijshëm te ndershmëria politike. Por realiteti në Luboten flet ndryshe.
Për dy dekada, ky fshat është lënë pas dore nga qeveritë e të gjitha ngjyrave. Ka qenë simbol i dhimbjes dhe krenarisë, por gjithashtu simbol i harresës institucionale. Në këtë vend nuk është ngritur asnjë memorial zyrtar për viktimat e masakrës, asnjë investim strategjik nuk është përqendruar këtu, dhe çdo premtim ka mbetur në letër. Dhe tani, pikërisht në prag të zgjedhjeve, Luboteni papritur bëhet “prioritet” – jo për të nderuar të kaluarën e tij, por për të shitur para kamerave disa metra kanalizim si trofe politik.
A është ky patriotizëm? Apo është një version i ri i vasalitetit politik, i cili përpiqet të mashtrojë një popull që ka dhënë shumë dhe ka marrë pak? A mund të quhet vizitë “zyrtare” një takim në të cilin zyrtarët shqiptarë fotografohen dhe shfaqen publikisht në krah të liderëve të një partie që ka qenë historikisht në anën tjetër të çdo betejë shqiptare në këtë vend?
Zekolli deklaroi se “patriotizmi nuk matet me deklarata, por me punë konkrete”. Dhe me këtë jemi kemi dakord. Por, çfarë pune konkrete është bashkëpunimi i hapur me VMRO-DPMNE-në, në një zonë ku ende nuk janë tharë lotët për të vrarët e pafajshëm? Çfarë mesazhi u jepet qytetarëve të Lubotenit, kur zyrtarët që pretendojnë se përfaqësojnë interesat e shqiptarëve, lavdërojnë kandidatët që vijnë nga partia e mohimit?
Fushata politike në Luboten, në formën që u shfaq nga përfaqësuesit e koalicionit VLEN, nuk është as inspektim, as investim – është thjesht hipokrizi. Dhe është më e rëndë se kaq: është përdorim i dhimbjes së një komuniteti për të mbuluar një marrëveshje të heshtur për pushtet. Nuk ka kanalizim që mund ta pastrojë këtë njollë.
Në vend që të bashkëpunojnë për drejtësi, këta zyrtarë bashkëpunojnë për vota. Në vend që të nderojnë të kaluarën e Lubotenit, ata përdorin emrin e tij si mbulesë për pazare politike me një subjekt që s’e ka ndjerë kurrë dhimbjen shqiptare. Dhe në këtë teatër të shëmtuar, Kaltrina Zekolli Shaqiri ka zgjedhur rolin kryesor.
Më 19 tetor, qytetarët do të kenë mundësinë të zgjedhin – jo vetëm mes partive, por edhe mes dy mënyrave të të bërit politikë: njëra që përdor emrin e Lubotenit për interesa personale, dhe tjetra që përpiqet, me të gjitha të metat e saj, të mbrojë dinjitetin dhe të ardhmen e tij.
Sepse patriotizmi nuk është as fjalë, as fotografi – është qëndrim.