Limaj nga Malisheva godet udhëheqësit e PDK-së: Ju bëj pykë në Prishtinë, mua s’më zhgënjen vendlindja

Ekrem Kastrati nga Nisma Socialdemokrate e Fatmir Limajt ka fituar edhe një mandat në krye të Malishevës, duke marrë 53,41% të votave, sipas rezultateve preliminare të KQZ-së.
Lideri i partisë së vogël ishte mbrëmë në qytezën në pjesën qendrore të Kosovës, ku foli para një turme qytetarësh që kishin dalë për të festuar.
Limaj tha se është i fuqishëm edhe në Prishtinë, por që në vendlindjen e tij ka shkuar gjithmonë me përulësi. Ai e goditi kundërkandidatin e Kastratit nga PDK-ja, Gëzim Krasniqin – i cili mori 18,91% të votave – duke folur për titullin e tij akademik.
“Unë kurrë s’kam kallxu çfarë shkolle kam të kryer. Unë në Malishevë kam ardhë me përulje kam folë çka kam bë për vendin tim. E dikush ka mendu që pse është doktor duhet me u votu… Unë kurrë s’ju kam thënë njerëzve çfarë titulli kam”, tha ai.
Ish-komandanti i goditi edhe udhëheqësit e Partisë Demokratike të Kosovës, të cilët tha se i bën “pykë” në kryeqytet. Për dallim prej tyre, Limaj tha se ai fiton në vendlindje.
“Djem, kam një porosi edhe për shefat e tyre. Ju një gjë duhet me e ditë: A e dini pse unë jam i fuqishëm atje në Prishtinë? A e dini pse unë ju bëj pykë atje në Prishtinë? A e di pse unë jam kryelart në Prishtinë e pesë pare s’i jap për juve? Sepse ju asnjani nuk mundeni me dal që ju ka votuar vendlindja juaj. Mua kurrë s’më ka zhgënjy vendlindja jem”, tha ai.