Ekzekutimi i pronarit grek dhe mikut të tij shqiptar/ Pas arrestimit të dy të rinjve, dyshohet që një i tretë dha urdhrin

Policia greke po heton nëse një person i tretë është përfshirë në vrasjen e një shtetasi grek dhe punëtorit të tij shqiptar. Mediat greke raportojnë se përveç dy personave të arrestuar, ka edhe një person të tretë, i cili mendohet se është urdhëruesi dhe financuesi i këtij krimi të dyfishtë. Nipi i pronarit 68-vjeçar të kampingut identifikoi 22-vjeçarin si autor të vrasjes, i cili u arrestua si ekzekutor.
Dëshmia e nipit të viktimës, i cili u thirr dje pasdite për të bërë identifikimin, konsiderohet e besueshme pasi ai ishte dëshmitar okular i vrasjes. Nga hetimet e deritanishme, personi i tretë i përfshirë në këtë krim, vetëm pak minuta para krimit ka patur një telefonatë me një nga 22-vjeçarët. Kjo e përforcon idenë se ekziston një person nga rrethi i ngushtë i pronarit 68-vjeçar të kampingut i cili është i lidhur me vrasjen e dyfishtë. Kujtojmë se dje një 22-vjeçar u paraqit në polici, i shoqëruar nga avokati i tij, z. Charalambos Lykoudis, dhe rrëfeu se ishte personi që po udhëtonte me skuterin e bardhë të drejtuar nga autori i sulmit në Finikounda.
Në dëshminë e tij, ai pretendoi se ata shkuan në kamping së bashku me autorin me qëllim shantazhin dhe terrorizimin e 68-vjeçarit dhe jo vrasjen e tij, ndërsa tregoi se një mik i tij ishte autori. Njëkohësisht, ai pretendoi se viktima e kishte abuzuar seksualisht me të në verën e vitit 2022 dhe që atëherë 22-vjeçari e kishte shantazhuar, duke i kërkuar para për të mbajtur gojën mbyllur. Ai tha gjithashtu se shkoi në Finikoundë me autorin e krimit sepse ky i fundit nuk i njihte vendet përreth kampingut. Disa orë më vonë, policia i vuri prangat shokut të tij 22-vjeçar, i cili dyshohet se hapi zjarr në kampingun e Finikoundës.