Me një ceremoni simbolike dhe në praninë e banorëve lokalë, kanë nisur zyrtarisht punimet për ndërtimin e rrugës së re që do të lidhë fshatrat Çajlë, Forinë dhe Çegran me qytetin e Gostivarit. Rruga, me gjatësi mbi 2 kilometra dhe gjerësi prej 7 metrash, përfaqëson një investim strategjik të pushtetit lokal në përmirësimin e infrastrukturës dhe lehtësimin e qarkullimit për komunitetin.

Kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, ishte i pranishëm në fillimin e punimeve, ku bashkëbisedoi me banorët dhe inspektoi nga afër zhvillimet në terren. Ai theksoi se ky projekt është rezultat i një kërkese të kahershme të banorëve të fshatrave dhe se realizimi i tij është prioritet i autoriteteve lokale.

“Ndërtimi i kësaj rruge është një hap i madh përpara për zonën. Jo vetëm që do të mundësojë lëvizje më të shpejtë dhe më të sigurt mes fshatrave dhe qytetit, por do të krijojë gjithashtu kushte më të mira për zhvillim ekonomik dhe social,” u shpreh kryetari Limani.

Ai bëri të ditur se në fazën e dytë të projektit parashihet zgjerimi i rrugës në 12 metra, përfshirë ndërtimin e korsive për biçikleta dhe infrastrukturë plotësuese, në përputhje me standardet moderne.

Investimi arrin vlerën e 36 milionë denarëve dhe parashikohet të përfundojë deri në fund të vitit, në varësi të kushteve klimatike.

Rruga e re kalon përmes fushave që ndajnë fshatrat Çajlë dhe Forinë dhe del në hyrje të qytetit të Gostivarit, pranë kompanisë “Ako Gradba”.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com