Ministrja Dimitrieska-Koçoska në Washington: Banka Botërore mbetet partnere e fuqishme në realizimin e reformave dhe përshpejtimin e rritjes ekonomike

16 tetor 2025, Washington, — Në kuadër të Takimeve vjetore të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska u takua me zëvendëskryetaren rajonale të Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë Qendrore, Antonella Bassani, drejtoreshën rajonale për Ballkanin Perëndimor, Xiaoqing Yu, drejtorin ekzekutiv, Eugene Rhuggenaath dhe udhëheqësen e zyrës së Bankës Botërore për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, Carole Megevand.
Bisedimet u përqendruan në zhvillimet makroekonomike dhe fiskale, progresin e realizimit të projekteve rrjedhëse, si dhe mundësinë e instrumenteve të reja financiare nga Banka Botërore për mbështetjen e reformave buxhetore dhe strukturore.
Fokusi kryesor i takimit ishin projektet që po realizohen aktualisht në Maqedoni, të cilat orientohen në përmirësimin e infrastrukturës, efikasitetin energjietik, dixhitalizimin, menaxhimin e financave publike dhe zhvillimin e kapitalit njerëzor.
“Qeveria mbetet e përkushtuar ndaj disiplinës fiskale, reformave strukturore dhe përshpejtimit të rritjes ekonomike përmes investimeve në infrastrukturën publike dhe kapitalin njerëzor”, theksoi ministrja.
Banka Botërore e përgëzoi progresin e Maqedonisë dhe konfirmoi partneritetin e saj në realizimin e reformave dhe projekteve sipas kornizës së re të bashkëpunimit.
Kjo konfirmohet edhe me raportin e fundit të rregullt ekonomik të Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, ku theksohet se rritja e ekonomisë së Maqedonisë pritet të arrijë në 3.1% në vitin 2025, që është përmirësim krahasuar me parashikimet e mëparshme.
Banka thekson se Maqedonia ruan stabilitetin fiskal, me deficit buxhetor nën 3% dhe borxh publik me trajektore në rënie, gjë që krijon hapësirë për rritje të qëndrueshme dhe klimë të favorshme investimi.
Në këtë takim gjithashtu u bisedua edhe për projeksionet ekonomike dhe mundësitë për përmirësimin e tyre të mëtejshme përmes përforcimit të investimeve publike, rritjes së produktivitetit dhe mbështetjes për kompanitë e orientuara drejt eksportit. Në takim mori pjesë edhe guvernatori i Bankës Popoullore, Trajko Sllaveski.