Shkup, 16 tetor 2025 – Kandidati i koalicionit VLEN për kryetar të
Komunës së Çairit, Izet Mexhiti në konferencën e sotme për media theksoi
rëndësinë e zgjerimit të burimeve buxhetore përmes fondeve evropiane, me
theks të veçantë në programin Horizon Europe, si një mundësi reale për
zhvillim të qëndrueshëm dhe modernizim të komunës.
Mexhiti, i shoqëruar nga këshilltari i tij për financa dhe buxhet,
Bujamin Bela, tha se prioritet i ekipit të tij është krijimi i një
diversiteti në strukturën buxhetore dhe sigurimi i burimeve të reja të
financimit për të shtuar investimet kapitale dhe projektet afatgjata
zhvillimore.
“Ne si prioritet e kemi të krijomë një diversitet në strukturën
buxhetore dhe burrimet e financimit për ta shtuar masën dhe hapsirën për
investime kapitale dhe projekte zhvillimore afatgjata. Në këtë drejtim
në vazhdimësi po hulumtojmë mënyra të ndyshme të financimit për ta bërë
një Çair më të zhvilluar, inovativ dhe konkurrues, Sipas informacioneve
deri më tani, Maqedonia e Veriut ka përfituar vetëm rreth 12 milionë
euro neto nga programet e Horizon-it që përbën vetëm 0.03% të shumës së
përgjithshme të fondeve të disponueshme. Ky është një tregues i qartë se
kemi hapësirë të madhe për rritje, dhe është koha që komunat tona, e
sidomos Çairi, të marrin më shumë rol në këtë drejtim”, deklaroi
Mexhiti.
Ai shtoi se Çairi do të ndjekë një qasje të re zhvillimore, duke
aplikuar për projekte që sjellin më shumë investime, vende pune dhe
shërbime cilësore për qytetarët, përmes fondeve evropiane dhe
bashkëpunimit ndërkombëtar.
Në fjalimin e tij, Mexhiti prezantoi katër prioritete të programit të
tij për zhvillimin e komunës:
1.Energjia dhe efikasiteti energjetik,
2.Tranzicioni i gjelbër dhe menaxhimi i mbeturinave,
3.Digjitalizimi dhe teknologjitë e informacionit,
4.Inovacioni dhe kërkimi shkencor.
Këshilltari për financa dhe buxhet i Izet Mexhitit, Bujamin Bela theksoi
se programi Horizon Europe nuk përfaqëson vetëm një burim financiar, por
edhe një mundësi të gjerë për integrim dhe bashkëpunim ndërkombëtar.
“Me një buxhet total prej 95.5 miliardë euro për periudhën 2021–2027, me
zgjatje deri më 2035, ky program hap potenciale të mëdha për reforma
lokale, zhvillim të qëndrueshëm dhe forcim të lidhjeve me Bashkimin
Evropian”, potencoi Bela.
Ai prezantoi gjithashtu disa nga projektet konkrete me të cilat Çairi ka
aplikuar dhe që presin implementimin praktik:
-“Sfidat Urbane dhe Rezistenca Klimatike”, projekt me vlerë totale prej
10 milionë euro, në të cilin Çairi do të marrë pjesë si replikator
krahas qyteteve si Barcelona, Berlini, Milano, Lisbona, Porto,
Bukureshti dhe Athina;
-“Co4RES”, një nismë evropiane që integron burimet e rinovueshme në
rrjetin energjetik, me mbi 39 partnerë nga 15 vende, që përdor mekanizma
digjitalë dhe analiza të avancuara të të dhënave për të rritur
efikasitetin dhe qëndrueshmërinë energjetike;
-“Qyteti i qëndrueshëm dhe rezistent ndaj ndryshimeve klimatike”, që
përfshin gjelbërim urban, menaxhim të nxehtësisë, instalim të sistemeve
solare (PV) në shkolla e spitale, si dhe promovim të transportit
elektrik dhe eficiencës energjetike.
“Duke parë këto mundësi, ne kemi filluar punën konkrete: Në komunën e
Çairit jemi duke krijuar grupe punuese të specializuara për fondet
evropiane, të përbëra nga profesionistë të fushave të ndryshme, që do të
përgatisin dhe aplikojnë për projekte konkrete në kuadër të Horizon
Europe dhe programeve të tjera të BE-së” theksoi kandidati i koalicionit
VLEN për kryetar komune në Çair, Izet Mexhiti.
Në përmbyllje, ai nënvizoi se synimi i tij dhe i ekipit të VLEN-it në
Çair është i qartë dhe ambicioz:
“Synimi ynë është i qartë dhe ambicioz: Çairi të bëhet komuna lidere në
shfrytëzimin e fondeve evropiane në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Së bashku, me përkushtim, transparencë dhe dije, do ta ndërtojmë Çairin
e së ardhmes, të gjelbër, digjital dhe inovativ!”, deklaroi Mexhiti.
Video nga konferenca e sotme e shtypit e Mexhitit
https://www.filemail.com/d/kkjvqqlxvibbxno