Gjykata Themelore e Ferizajt e ka dënuar të pandehurin K.S me 13 vjet dënim unik me burgim për sulm seksual dhe keqpërdorim seksual të personave nën moshën 16-vjeçare, shkruan Reporteri.net.
I pandehuri akuzohet se në periudha të ndryshme kohore, gjatë viteve 2012–2013 dhe 2018–2022, ka ushtruar veprime të ndaluara seksuale ndaj dy të miturave të moshës 12 dhe 14 vjeçare, nga i njëjti lokalitet, duke shfrytëzuar rrethana të ndryshme dhe moshën e tyre të mitur.
“Gjykata Themelore në Ferizaj – Departamenti për të Mitur, përkatësisht trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Shabi Idrizi – kryetar i trupit gjykues, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të të gjitha provave, të pandehurin K.S., e shpalli fajtor për shkak të veprës penale në vazhdim sulmi seksual nga neni 229 paragrafi 6 lidhur me paragrafin 1 lidhur me nenin 77 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK) i shqiptoi dënim burgimi në kohëzgjatje prej dhjetë (10) vjet si dhe për veprën penale në vazhdim keqëpërdorimi seksual i personave nën moshën gjashtëmbëdhjetë (16) vjeçe nga neni 235 paragrafi 1 pika 1.3 lidhur me nenin 81 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK) i shqiptoi dënim burgimi në kohëzgjatje prej katër (4) vjet, ashtu që konform nenit 76 paragrafi 2 të KPPRK-së të njëjtit i shqiptoi dënim unik burgimi në kohëzgjatje prej trembëdhjetë (13) vjet, në të cilin dënim do ti llogaritet koha e kaluar në paraburgim, i cili dënim do të ekzekutohen pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi”, thuhet në njoftim.
Të pandehurit i vazhdohet masa e paraburgimit deri kur aktgjykimi të merre formën e prerë, por jo më shumë se koha e dënimit të shqiptuar në aktgjykim.
“Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej tridhjetë (30) ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. Ankesa i drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë, përmes Gjykatës Themelore në Ferizajt”, theksohet në njoftim./Reporteri.net