Koalicioni VLEN ka vlerësuar pozitivisht rrjedhën e procesit të votimit në zgjedhjet lokale që po zhvillohen sot në mbarë vendin, duke e cilësuar atmosferën si të qetë, demokratike dhe pa incidente.
Në një deklaratë për media, zëdhënësi i Shtabit Qendror të VLEN-it, Driton Sulejmani, theksoi se deri në këto momente nuk janë raportuar parregullsi, presione apo agjitacione në vendvotime, gjë që tregon një përparim të rëndësishëm në kulturën demokratike të vendit.
“Ky është një sinjal pozitiv se vendi po hyn në një fazë të pjekurisë demokratike, ku respekti për vullnetin qytetar është mbi gjithçka tjetër,” u shpreh Sulejmani.
Ai u bëri thirrje institucioneve përgjegjëse që të vazhdojnë me profesionalizëm, transparencë dhe paanshmëri gjatë gjithë ditës zgjedhore.
VLEN gjithashtu iu drejtua qytetarëve që ende nuk kanë votuar, duke i ftuar të shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese dhe të marrin pjesë në vendimmarrjen për të ardhmen e komunave të tyre.
“Çdo votë ka rëndësi, çdo qytetar ka peshën e tij në vendimmarrje. Le të dëshmojmë edhe sot se dimë të votojmë me qetësi, me dinjitet dhe me përgjegjësi,” përfundoi zëdhënësi i VLEN-it./TS
Zgjedhjet lokale të ditës së sotme po konsiderohen vendimtare për shumë komuna dhe pritet me interes edhe pjesëmarrja në orët e pasdites.