Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka bërë homazhe sot në varrezat e dëshmorëve në nderim të bashkëluftëtarit të tij Isa Lika – Komandant Iliri, me rastin e 19-vjetorit të rënies së tij.

Në mesin e bashkëluftëtarëve, familjarëve të dëshmorëve, aktivistëve dhe bashkëpunëtorëve të Lëvizjes, Ahmeti ka kujtuar figurën e Komandant Ilirit si një patriot të vërtetë dhe një simbol të rezistencës shqiptare.

“Isa Lika ishte një ndër ushtarët e parë që iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe më pas Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Që në moshë të re, ishte i patrembur përballë armiqve të kombit dhe i gatshëm të sakrifikonte jetën për atdheun,” shkruan Ahmeti në rrjetet sociale.

Ai theksoi se ndarja e tij nga jeta ishte rezultat i një “dore tinzare antikombëtare”, por ideali i tij jeton dhe mbetet udhërrëfyes për brezat e rinj.

“Ata vranë Ilirin, por nuk e vranë dot idealin e tij, për të cilin u bë shembull për gjeneratat e reja,” shtoi më tej lideri i BDI-së.

Ahmeti e mbylli mesazhin e tij me fjalët.

“Qoftë i përjetshëm kujtimi për të! Lavdi!”

Isa Lika, i njohur ndryshe si Komandant Iliri, është një nga figurat emblematike të luftës çlirimtare shqiptare dhe nderohet çdo vit për kontributin dhe sakrificën e tij për lirinë dhe çështjen kombëtare./TS

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com