Në një mesazh të drejtuar mbështetësve dhe qytetarëve të Çairit, kandidati i Aleancës Kombëtare për Integrim, Bujar Osmani, shprehu kënaqësinë për ditën zgjedhore dhe falenderoi të gjithë ata që e mbështetën gjatë fushatës.
“Vlerësoj se kishim një ditë zgjedhore të suksesshme, pa vërejtje të mëdha, dhe kjo është e rëndësishme të theksohet. Dua të falënderoj aktivistët, shokët partiakë dhe të koalicionit, mbështetësit, forumin e grave dhe forumin rinor, për përkushtimin dhe sakrificën gjatë këtij procesi,” tha Osmani.
Ai shtoi se, edhe pse fushata nuk ishte e drejtë dhe ligjore në çdo aspekt, beson se ndershmëria dhe vlerat duhet të ruhen në çdo situatë.
POSTIMI I PLOTË:
Të dashur miq, mbështetës dhe qytetarë të nderuar,
Në fillim dua të shpreh kënaqësinë time për ditën zgjedhore. Vlerësoj se kishim një ditë zgjedhore të suksesshme, pa vërejtje të mëdha, dhe besoj se kjo është e rëndësishme të theksohet.
Dua të shpreh mirënjohje për të gjithë bashkëpunëtorët gjatë gjithë fushatës: nga aktivistët dhe shokët partiakë dhe të koalicionit, mbështetësit, forumin e grave, forumin rinor. Ishte me të vërtetë një nder të punohej me përkushtim dhe sakrificë, një proces gjatë të cilit u krijua një vizion i bukur për Çairin, por edhe shumë miqësi të reja.
Megjithatë, në politikë, fjala e fundit u takon qytetarëve. Unë kam qenë mjaft gjatë në politikë për t’i njohur dhe respektuar mesazhet që qytetarët i dërgojnë. Edhe pse fushata nuk ishte as e drejtë as e ligjshme në çdo aspekt, por unë nuk dua të ankohem, sepse besoj se ndershmëria dhe vlerat kanë kuptim vetëm kur i ruan edhe në sitiata si kjo.
Urime kundërkandidatit tim dhe të gjithë koalicionit që qëndroi pas tij, ata janë fituesit e zgjedhjeve në Çair dhe u uroj sukses në drejtimin e komunës gjatë katër viteve të ardhshme.
Në fund, dua të falënderoj familjen time, ata e mbajtën barrën më të madhe të angazhimit tim politik, por nga aty mora edhe përkrahjen e fortë.
Për hapat e ardhshëm politik, ditëve në vijim.
Ju faleminderit!