Partia në pushtet, VMRO-DPMNE, shpalli fitore bindëse pas rundit të parë të zgjedhjeve lokale në Maqedoninë e Veriut, më 19 tetor.
Partia do të ketë kryetarë komunash në 30 nga gjithsej 80 komuna, dhe pret që në rundin e dytë të fitojë edhe në rreth 20 të tjera, përfshirë edhe qytetin e Shkupit, ku kandidati i saj, Orce Gjorgjievski, është në epërsi të madhe.
“Premtuam fitore, kemi fitore”, deklaroi kryeministri dhe lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.
Ai tha se është i kënaqur, pasi numri i përgjithshëm i votave të fituara është më i madh se në zgjedhjet parlamentare dhe ato lokale të mëparshme.
Mickoski gjithashtu konfirmoi se nuk ka ndërmend të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare, pavarësisht insistimit të opozitës nga BDI, dhe theksoi se “politikat e etnocentrizmit janë mposhtur.”
Opozitarja LSDM pësoi edhe një humbje pas zgjedhjeve të vitit të kaluar – atyre parlamentare dhe presidenciale.
Megjithatë, partia vlerësoi se rezultati nuk është i keq, pasi këtë herë ka fituar më shumë vota në disa komuna dhe theksoi se ka pasur “shkelje të shumta” gjatë procesit të votimit.
LSDM do të ketë kryetarë komunash në Kriva Pallankë, Bogdanc dhe Krivogashtan, ndërsa pret të kalojë në rundin e dytë në rreth njëzet komuna të tjera.
“Kjo është dëshmi për konsolidimin brenda partisë që ka filluar dhe do ta vazhdojmë,” deklaroi lideri i LSDM-së, Venko Filipçe, i cili tha se nuk ka ndërmend të japë dorëheqje pas këtyre rezultateve zgjedhore.