Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka bërë një deklaratë të fortë duke kërkuar që lufta mes Rusisë dhe Ukrainës të ndalet menjëherë në vijat aktuale të frontit.
Ai sugjeron që palët të kthehen në shtëpi dhe të mos vazhdojnë me përplasjet ushtarake, ndërsa çështjet territoriale të diskutohen në një moment të dytë, shkruan Aljazeera, transmeton Klankosova.tv.
“Duhet të ndalet tani, në vijat e betejës. Të shkojnë në shtëpi, të ndalojnë vrasjet dhe ta mbyllin këtë punë”, tha Trump të dielën vonë, duke folur për mediat amerikane.
Nëse propozimi i Trumpit pranohet, kjo do të thotë që Rusia do të mbajë nën kontroll pjesë të mëdha të territorit ukrainas, përfshirë pjesën më të madhe të rajonit të Donbasit, një zonë industriale ku janë zhvilluar luftimet më të ashpra.
Muaj më parë, presidenti amerikan ishte shprehur se Ukraina mund ta fitonte luftën dhe të rimerrte të gjitha territoret e pushtuara nga Rusia, përfshirë edhe Krimenë. Por deklaratat e fundit duken si një ndryshim i qasjes së tij, duke dhënë prioritet ndalimit të luftës mbi zgjidhjen e menjëhershme territoriale.
Trump pritet të takohet me presidentin rus, Vladimir Putin, në Hungari javët e ardhshme. Ndërkohë, javën e kaluar ai ka pritur në Shtëpinë e Bardhë presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy.
Trump u shpreh se konflikti mund të përfundojë shpejt nëse të dyja palët tregojnë fleksibilitet.