Orientimi strategjik i miratuar nga Bordi i Drejtorëve përqendrohet në partneritete
globale fitimprurëse për të dyja palët dhe në një zë të fortë evropian në botë.
BEI Globale do të përshtatë qasjet sipas rajonit dhe sektorit, në përputhje me prioritetet e
BE-së.
Forcim i mbështetjes për Ukrainën, mjete të reja dhe procedura të thjeshtuara.
Grupi i Bankës Evropiane të Investimeve (BEI) ka miratuar orientimet strategjike për BEI Globale,
krahun e saj të partneriteteve ndërkombëtare dhe të zhvillimit. Plani ka për synim sfidat globale dhe
forcon zërin e Evropës në një peizazh gjeopolitik gjithnjë e në ndryshim. Ai përmirëson mbështetjen
për projekte me ndikim të lartë në mbi 130 vende, në përputhje me nevojat lokale dhe prioritetet e BE-
së.
Orientimi shërben si një udhërrëfyes për investimet e Grupit të BEI-t jashtë Bashkimit Evropian (BE),
përgjatë fushave prioritare të përcaktuara qartë, siç janë energjia e pastër dhe transporti i
qëndrueshëm, shëndeti global, arsimi më i mirë, projektet e infrastrukturës që forcojnë zinxhirët e
furnizimit, dhe fuqizimi i grave. Do të rriten volumet e investimeve për infrastrukturën strategjike dhe
zhvillimin e sektorit privat në Ukrainë, vendet e zgjerimit të BE-së dhe rajonet fqinje. BEI Globale do të
vijojë angazhimin e saj të fortë për zbatimin e strategjisë "Global Gateway" të BE-së dhe për të çuar
përpara ambiciet e saj për masat klimatike dhe qëndrueshmërinë mjedisore në kuadër të fazës së dytë
të udhërrëfyesit të grupit të bankës për klimën.
"Në një botë me mure, ne ndërtojmë ura të reja", tha presidentja e Grupit të BEI-t, Nadia Calviño.
"Si një partner i fortë dhe i besueshëm, ne mbetemi të përkushtuar ndaj bashkëpunimit dhe ofrimit të
zgjidhjeve të favorshme për të dyja palët."
Thjeshtim
Nga viti 2025 deri në vitin 2027, Grupi i BEI-t do të ofrojë financim vjetor deri në 10 miliardë EUR, i cili
do të përfshijë asistencë teknike në rritje për të forcuar pronësinë lokale dhe për të përshpejtuar
përgatitjen dhe zbatimin e projekteve.
Procedurat e financimit do të thjeshtohen duke shfrytëzuar mbështetjen e ndërsjellë me bankat e
zhvillimit dhe sinergjitë me partnerët e BE-së për të përshpejtuar investimet në projektet kryesore në
mbarë botën. Grupi i BEI-t po bashkëpunon gjithashtu me Komisionin Evropian dhe palët e
interesuara të BE-së për të thjeshtuar dhe përmirësuar mandatet nga buxheti i BE-së.
Zinxhirët e furnizimit dhe lëndët e para kritike
Orientimet strategjike parashikojnë zbatimin e instrumenteve të reja që u përshtaten realiteteve të
sotme, duke mbështetur eksportuesit evropianë dhe duke diversifikuar zinxhirët e furnizimit.
Grupi i BEI-t po zhvillon një nismë të re mbarë-evropiane për tregtinë dhe investimet, për të kanalizuar
garancitë dhe financimin e BE-së tek eksportuesit dhe kompanitë e BE-së që paraqesin oferta
ndërkombëtare përmes rrjetit të agjencive kombëtare të kreditit të eksportit.
Aktivitetet mbi lëndët e para kritike do të zgjerohen, duke u përqendruar në partneritetet strategjike
midis BE-së dhe vendeve partnere për të forcuar zinxhirët e furnizimit të qëndrueshëm, thelbësorë për
tranzicionin e gjelbër dhe digjital.
Public
Prioritetet rajonale
Si krahu i financimit të BE-së dhe banka më e madhe shumëpalëshe e zhvillimit në botë, në pronësi
vetëm të 27 shteteve anëtare të BE-së, Grupi i BEI-t luan një rol kyç në avancimin e objektivave të
politikës së jashtme të Bashkimit. Duke vepruar kështu, BEI Globale do të zbatojë një qasje të
diferencuar, duke i përshtatur aktivitetet e saj sipas gjeografisë dhe sektorit, sipas nevojave lokale,
ndërkohë që mbetet plotësisht në përputhje me prioritetet dhe politikat e BE-së.
Në Ukrainë, Grupi i BEI-t ka ofruar 4 miliardë EUR mbështetje që nga fillimi i pushtimit rus, duke
riparuar infrastrukturën kritike, duke rindërtuar shkolla, kopshte, spitale dhe duke siguruar furnizim me
energji elektrike në vend. Grupi i BEI-t do të rrisë mbështetjen e tij për të financuar qëndrueshmërinë
afatshkurtër, rimëkëmbjen pas luftës dhe anëtarësimin në BE.
Vendet kandidate për në BE do të kenë akses në të gjithë gamën e instrumenteve të BEI-t, nga
produktet e investimeve të përshtatura deri te mekanizmat e ndarjes së rrezikut dhe asistenca teknike.
Grupi i BEI-t do të përqendrohet në projekte strategjike të infrastrukturës për të përmirësuar lidhjen
rajonale dhe integrimin e anëtarëve të ardhshëm të BE-së.
Në fqinjësinë e BE-së, fokusi do të jetë në stabilitetin dhe qëndrueshmërinë ekonomike lokale,
energjinë e pastër, lidhjen fizike me BE-në dhe sigurinë energjetike. Grupi i BEI-t do të kontribuojë në
zbatimin e strategjisë së Komisionit për Detin e Zi dhe të Paktit për Mesdheun. Konkretisht në Lindjen
e Mesme, ne do të vazhdojmë të kontribuojmë në stabilitetin ekonomik dhe financiar dhe të
mbështesim zgjidhjen me dy shtete.
Në Afrikën Nënsahariane, Grupi i BEI-t do të përqendrohet në infrastrukturat kyçe mbështetëse të
nevojshme për zhvillim, si p.sh. shëndetësia, uji, aksesi në energji, transporti dhe përfshirja digjitale,
duke mbështetur sektorin privat lokal dhe duke krijuar partneritete të forta fitimprurëse dhe aleanca
strategjike për ndikim.
Në Amerikën Latine dhe Azi-Paqësor, fokusi do të jetë në zinxhirët kritikë të vlerave të BE-së dhe
mbështetjen për integrimin rajonal, për shembull në fushat e transportit, energjisë dhe infrastrukturës
digjitale.
………………………………..
Të dhëna bazë
Banka Evropiane e Investimeve (BEI) është institucioni huadhënës afatgjatë i Bashkimit Evropian, në
pronësi të shteteve të tij anëtare. Ajo financon investime që kontribuojnë në objektivat e politikave të
BE-së.
BEI Globale është krahu i specializuar i Grupit të BEI-t i përkushtuar ndaj rritjes së ndikimit të
partneriteteve ndërkombëtare dhe financimit të zhvillimit, si dhe një partner kyç i strategjisë Global
Gateway të BE-së, sipas së cilës synojmë të mbështesim investime me vlerë 100 miliardë EUR deri
në fund të vitit 2027. Në kuadër të Team Europe, BEI Globale nxit partneritete të forta dhe të
fokusuara së bashku me institucionet e tjera financiare të zhvillimit dhe shoqërinë civile. BEI Globale e
afron Grupin e BEI-t më pranë njerëzve, kompanive dhe institucioneve vendase përmes zyrave tona
në mbarë botën. Foto me cilësi të lartë, të përditësuara të selisë sonë për përdorim mediatik ofrohen
këtu.