Departamenti për Shtypjen e Krimit të Organizuar dhe të Rëndë në Ministrinë e Punëve të Brendshme, në koordinim me Prokurorinë Publike për Hetimin Penal dhe Parandalimin e Krimit, ka realizuar një aksion të gjerë në disa lokacione në qytetin e Shkupit, pas urdhrave të Gjykatës Themelore Penale informon Tetovasot.
Gjatë aksionit janë arrestuar 11 persona, ndërsa një tjetër – B.K. (35) – është ende në kërkim. Të gjithë ata dyshohen për kryerjen e veprave penale “Fajde” dhe “Pastrimi i Parave dhe të Ardhurave të Tjera nga Krimi”.
Sipas njoftimit të MPB-së, kallëzim penal është ngritur kundër:
Lj.Lj. (29), D.V. (29), A.T. (29), D.L. (32), M.V. (25), M.N. (36), A.T. (32), Z.A. (42), M.K. (73), P.K. (41) dhe G.S. (46).
Nëntë prej tyre dyshohet se ishin pjesë e një grupi të organizuar kriminal që nga fillimi i vitit 2022, i cili merrej me dhënien e parave me fajde, duke përfituar në mënyrë joproporcionale përmes interesave mujore që arrinin deri në 15%.
Ata, duke shfrytëzuar gjendjen e rëndë financiare të viktimave, jepnin hua me kushte të rënda, ndërsa në rast se borxhi nuk shlyhej, kërkonin që pronat e të dëmtuarve të kalonin në emrin e tyre.
Paratë e fituara në këtë mënyrë janë futur në qarkullim ligjor përmes blerjes së pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme, transaksioneve bankare dhe shpenzimeve luksoze.
Sipas MPB-së, në periudhën 2022–2025, grupi ka përfituar përfitim të paligjshëm pasuror prej mbi 125 milionë denarësh, të cilat janë pastruar përmes formave të ndryshme financiare.
Hetimet janë në vijim, ndërsa ndaj të arrestuarve është dorëzuar kallëzim penal përkatës në Prokurorinë Publike për Hetimin Penal dhe Parandalimin e Krimit.TS