Kryetari i LSDM-së, Dr. Venko Filipçe, në një pyetje nga gazetarët për rezultatet e zgjedhjeve dha një analizë mbi rezultatet dhe ndryshimet që do të ndodhin pas tyre.
„Unë vitin e kaluar e gjeta partinë në një gjendje vërtet të vështirë dhe të keqe, pas një humbjeje me një diferencë prej 300,000 votash. Gjatë vitit e gjysmë të kaluar kam punuar intensivisht në të gjitha organizatat komunale, me mijëra anëtarë tanë – kontakte direkte, takime dhe mbledhje“, deklaroi Filipçe.
Ai theksoi se ka një numër të mirë komunash ku tashmë janë zgjedhur kryetarë nga LSDM, si dhe 16–17 komuna shtesë ku partia hyn në rundin e dytë. Aty, siç nënvizoi, është arritur një rritje e konsiderueshme e numrit të votave krahasuar me zgjedhjet e vitit të kaluar.
„Këto janë organizata komunale ku numri i votave, krahasuar me zgjedhjet e vitit të kaluar, është rritur ndjeshëm, diku 40–50%, e diku votat janë madje dyfishuar, që do të thotë se puna ka dhënë efekt. Nga ana tjetër, ka komuna ku kjo nuk ka ndodhur – këtu kam parasysh komunat e Shkupit.“ – tha Filipçe.
Filipçe shtoi se këto zgjedhje janë një tregues i mirë për mënyrën se si duhet të punohet në të ardhmen dhe për ndryshimet që duhet të bëhen.
„Këto zgjedhje tregojnë se si duhet të pozicionohemi dhe si duhet të funksionojmë në periudhën e ardhshme. Sepse është e qartë se është e nevojshme – veçanërisht në ato komuna ku nuk arritëm rezultatin e dëshiruar – të vazhdojmë me punë intensive“, deklaroi Filipçe.
Në këtë kontekst, ai njoftoi edhe ndryshime politike dhe kadrovike në drejtim pas përfundimit të procesit zgjedhor.
„Le të njoftoj se do të ketë ndryshime politike dhe kadrovike në drejtim, pas zgjedhjeve – për të cilat do të informoheni“, përfundoi Filipçe.