Kandidati i AKi-së për komunën e Tetovës, Bajram Rexhepi në emisionin “RISHTAZI” në KOHACAST, ka theksuar se në shitjen e “Monopolit ka pasur manipulime të rënda dhe shkelje ligjore në procesin e shitjes së pronës publike.
Sipas tij, marrëveshja për shitjen e pronës është nënshkruar në vitin 2023, dhe dokumentet e publikuara dëshmojnë se në kontratë figuron nënshkrimi i Bilall Kasamit, me numër arkivor zyrtar.
“Është bërë manipulim ekstrem. Plani është ndryshuar dy herë, fillimisht nga destinimi A2 për ndërtim banesor në G2 për industri të lehtë, që ta mundësonin shitjen për vetëm një euro për metër katror, e më pas është kthyer sërish në A2. Kjo ka qenë e organizuar nga disa persona që të ndodhte kështu,” deklaroi Rexhepi.
Ai shtoi se kompania që bleu pronën për 7.000 euro ka qenë në falimentim, dhe se menjëherë pas blerjes është lidhur kontratë për shitje në vlerë prej 5.5 milionë euro.
“Një kompani në falimentim nuk guxon as të blejë, as të shesë. Megjithatë, kjo kompani kishte kontratë paraprake për ta shitur më pas për 5 milionë euro. Këtë e kanë bërë me qëllim që të mos mund të manipulohet më vonë, dhe realisht prona është shitur për 5.5 milionë euro,” tha ai.
Rexhepi e cilësoi këtë proces si një “skandal të përmasave të mëdha”, duke e quajtur “plaçkitje të pronës publike në zemër të Tetovës”./TS