Në pikën kufitare Tabanoc, doganierët kanë zbuluar 129,7 kilogramë marihuanë të fshehur në frigoriferin e një kamioni me targa sllovene. I dyshuari është një 43-vjeçar shtetas i Serbisë, i cili ka tentuar ta fusë drogën në vend, kanë konfirmuar nga Prokuroria e Kumanovës.

Sipas informacioneve fillestare, droga ishte e shpërndarë në 14 çanta të mëdha, të fshehura me kujdes në gjysmërimorkion e kamionit. Mjeti ishte në pronësi të një kompanie transporti nga Sllovenia. Gjatë kontrollit të rregullt në kufi, doganierët kanë vërejtur parregullsi në pjesën e ngarkesës dhe menjëherë kanë thirrur ekipet policore.

“Prokuroria ka hapur menjëherë hetim dhe ka dorëzuar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, për shkak të rëndësisë së veprës dhe rrezikut që i dyshuari të arratiset”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore Publike në Kumanovë.

Sipas Kodit Penal, për veprën “Prodhim dhe shpërndarje e paautorizuar e narkotikëve” është parashikuar dënim me burg deri në 10 vjet.

Prokuroria dhe Administrata Doganore po vazhdojnë hetimet për të përcaktuar nëse shtetasi serb ka vepruar vetëm apo ka qenë pjesë e një rrjeti ndërkombëtar të trafikut të drogës, që përdor rrugën përmes Maqedonisë si pjesë të rutes ballkanike të kontrabandës.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com