Arben Taravari reagon pas thirrjeve raciste në Prilep: Kjo është Maqedonia 2025? Na duan në dhoma gazi?!!
Pas ngjarjeve të rënda që ndodhën sot në Prilep, gjatë ndeshjes së Ligës së Dytë mes Pobedës dhe Shkëndijës së Haraçinës, ku huliganët maqedonas u dëgjuan duke bërtitur thirrje raciste dhe fyese ndaj shqiptarëve, ka reaguar lideri i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, njofton TS.
Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Taravari shprehet me tone të ashpra ndaj skenave të urrejtjes që u panë në stadiumin e Prilepit.
“Duket si makth, por fatkeqësisht është realitet… Kjo është Maqedonia 2025?! Me shqiptarë që luajnë futboll dhe ‘tifozë’ që bërtasin në kor se na duan në dhoma gazi?!” – shkruan Taravari.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të shumta në opinionin publik, ndërsa shumë figura politike dhe sportive kërkojnë masa urgjente nga autoritetet për të ndëshkuar aktet raciste dhe për të garantuar siguri në garat sportive./TS