“E gjetëm me zero, e lamë me kryeministër. Nuk më shkon mendja që do të na devalvojnë (zhvlerësojnë) kaq shumë.” (Ali Ahmeti)
Arben Llalla
Kjo fjali është shkëputur nga deklarata e Ali Ahmetit fill pas votimit të raundit të parë të zgjedhjeve vendore në Maqedonin e Veriu të mbajtur më 19 Tetor 2025. Më erdhi keq për këtë fjali kur e lexova, ndjeva keqardhje, mu duk si një lutje e një njeriut me sytë lart në qiell sikur i lutej Zotit, i nënçmuar, i goditur, i pafuqishëm, i prerë në besë.
Një fjali që tingëllon si një klithmë e brendshme, si një përballje me kohën dhe harresën. Brenda saj fshihet historia e shumë njerëzve që kanë ndërtuar me djersë, me ideale, me besim — dhe sot shohin se gjithçka që ngritën po rrënohet. Ka krenari në këto fjalë, por edhe dhimbje. Krenaria e një njeriu që mori gjithçka nga asgjëja, që ngriti institucione, reputacion, strukturë. Por edhe dhimbja e atij që sheh se vlerat po zhvlerësohen, sakrificat po harrohen dhe suksesi po matet me servilizëm e jo me punë. Kjo thënie është më shumë se një kujtim personal — është një diagnozë e shoqërisë sonë politike. Një shoqëri që shpesh zhvlerëson të mirën, ndërsa glorifikon rastësinë. Një paralajmërim i qetë, por i fortë:
Se gjithçka që nuk ndërtohet mbi moral dhe përkushtim, do të shembet me kalimin e kohës.
Jam menduar disa ditë ta botoj apo jo këtë mendim tim, këtë vlerësim për një fjali të deklaratës të Ali Ahmetit. Jo për gjë, por tek e fundit mund të qëndroj anash, i qetë në punët e mia, por, Jo dikush duhet të thotë të vërtetën, ta mbrojë të vërtetën, të bëj dritë në tunelin e politikës që herë shikohet e kuptohet e herë jo.