Autoritetet meteorologjike të Filipineve kanë lëshuar paralajmërime këtë të shtunë për dallgë deri në pesë metra lartësi dhe era shkatërruese, ndërsa tajfuni masiv Fung-wong po i afrohet bregut lindor të vendit dhe pritet të forcohet përpara se të godasë tokën të dielën në mbrëmje.
Sipas shërbimit kombëtar të motit PAGASA, tajfuni, i njohur lokalisht si Uwan, ka një rreze ndikimi prej 1,500 kilometrash, duke sjellë reshje të dendura dhe erëra të forta në pjesën lindore të arkipelagut.
“Ai mund të mbulojë pothuajse të gjithë territorin e vendit,” tha meterologu, Benison Estareja, në një konferencë për shtyp.
Në orët e fundit, Fung-wong ka arritur shpejtësi erërash të qëndrueshme prej 140 km/h dhe furtuna deri në 170 km/h, ndërsa parashikohet që fuqia e tij të rritet deri në 185 km/h në momentin e afrimit me tokë.
PAGASA u ka bërë thirrje banorëve në zonat e ulëta dhe bregdetare që të evakuohen menjëherë drejt vendeve më të larta dhe të ndalojnë çdo aktivitet detar, duke paralajmëruar se dallgët e stuhisë mund të përmbytin komunitete të tëra bregdetare.
Qeveritë lokale kanë pezulluar mësimin për ditën e hënë, ndërsa kompania ajrore kombëtare, Philippine Airlines, ka anuluar disa fluturime përpara zbarkimit të tajfunit.
Paralajmërimi vjen vetëm pak ditë pas goditjes së tajfunit Kalmaegi, i cili shkaktoi më shumë se 200 viktima në Filipine dhe pesë në Vietnam, duke lënë pas dëme të mëdha, ndërprerje të energjisë dhe zhvendosje masive të banorëve.
Edhe Tajlanda raportoi reshje të dendura dhe përmbytje për shkak të stuhisë Kalmaegi.
Ndërkohë, ekspertët e klimës paralajmërojnë se stuhitë si Kalmaegi dhe Fung-wong po bëhen gjithnjë e më të fuqishme për shkak të ngrohjes globale, ndërsa vendet e Azisë Juglindore, përfshirë Filipinet dhe Vietnamin, mbeten ndër më të ekspozuarat ndaj këtyre tajfuneve.