Mërgatë e dashur,
Ju faleminderit nga zemra. Jo vetëm për këto zgjedhje, por për çdo ditë të jetës së këtij qyteti. Ju jeni ata që e mbani Kërçovën gjallë, që e ringjallni çdo verë, çdo festë, çdo
krizë. Falë jush ekonomia e këtij qyteti lëviz, bizneset mbijetojnë dhe shpresa nuk shuhet. Ne ekzistojmë sepse ju ktheheni, sepse investoni, sepse nuk e harroni rrënjën tuaj.
Kjo mirënjohje nuk është fjalë politike, është realiteti i përditshëm i Kërçovës.
Edhe në zgjedhje e treguat madhështinë tuaj.
Në raundin e parë, falë mobilizimit tuaj, Kërçova nuk humbi.
Në raundin e dytë, shumë prej jush udhëtuat sërish, me lodhje, me shpenzime, me zemër të pastër, vetëm që qyteti të mos bjerë nën administrim jo-shqiptar.
Ju e bëtë detyrën tuaj. Me dinjitet. Me nder.
Ndaj unë ndjej vetëm mirënjohje përjetësisht.
Ju kërkoni sqarim për qëndrimin tim në raundin e dytë. Dhe është e drejtë ta kërkoni.
Në Zvicër, para jush, të tre kandidatët e dhamë fjalën publikisht se kushdoqoftë që kalon në rund të dytë, të tjerët do ta mbështesin për hir të Kërçovës. Edhe unë e dhashë atë fjalë. Por po në atë sallë, para gjithë mërgatës, kandidati i AKI-së tha se “në 12 vite askush s’mund të thotë që ka kërkuar ryshfet, edhe një kafe po ta kisha marrë do të jepja dorëheqje”.
Kjo ishte fjala publike.
Pastaj dolën incizimet.
Dolën ofendimet.
Dolën sharjet ndaj figurave kombëtare.
Dolën përgojimet ndaj qytetarëve.
Dolën dëshmi që këtë qytet e kanë ndjekur gjatë për 12 vite, por tash u thanë me zë.
Dhe qyteti u trondit. Morali ra. Besimi u thy.
Prandaj, menjëherë pas raundit të parë, unë kërkova një zgjidhje të ndershme:
Të bashkoheshin votat shqiptare, të fitohej komuna, dhe kandidati të jepte dorëheqje pas zgjedhjeve, që të mos e mbante qytetin peng për shkak të plagës morale që e kishte goditur.
Nuk e kërkova këtë për vete. Nuk kërkova pushtet. Nuk kërkova poste.
E kërkova që Kërçova të mbetej shqiptare pa e përbaltur dinjitetin e saj.
Për dy javë nuk pati asnjë përgjigje.
Asnjë dalje publike.
Asnjë falje.Asnjë sqarim.
Asnjë thirrje për mobilizim të 8000 votuesve që ishin kundër.
As edhe një tentativë për bashkim.
Qyteti u la në heshtje.
Dhe unë nuk mund t’i detyroj qytetarët të votojnë një kandidat prej të cilit nuk morën as minimumin e respektit.
Kjo nuk quhet tradhti.
Kjo quhet realitet.
Shtabi im, njerëzit që na kanë mbështetur, djemtë dhe vajzat që na ndihmuan këto muaj, dolën publikisht dhe kërkuan votën shqiptare në raundin e dytë.
Unë nuk ndalova askënd.
Nuk pengova askënd.
Nuk kam asnjë arsye të punoj kundër qytetit tim.
Ata 2500–3000 qytetarë që votuan kundër nuk u manipuluan nga askush.
Ata janë njerëz të fyer, të prekur në moral, të lënduar, të zhgënjyer.
Ata nuk janë tradhtarë. Ata janë pasojë e asaj që u bë gjatë 12 viteve dhe veçanërisht në këto 2 javë.
Në vend që t’u kërkohej falje, u quajtën armiq.
Në vend që të kërkohej bashkim, u dha heshtje.
Në vend të llogarisë, u dha propagandë.
Kjo nuk është faj i popullit.
Kjo është faj i atyre që e lanë qytetin pa fjalë.
Sa i përket mërgatës, unë jam i gatshëm të vij kudo: në Zvicër, në Gjermani, në Austri, në Amerikë.
Të ulem me ju, t’ju përgjigjem ballë për ballë, të diskutojmë hapur dhe pa maska.
Interesi im i vetëm është e ardhmja e Kërçovës.
Dhe sot, pas gjithë këtyre zhvillimeve, them qartë:
Mërgata nuk ka faj.Populli nuk ka faj.
Faji është te ata që heshtën kur qyteti kërkonte përgjegjësi.
Sa për të ardhmen, dy këshilltarët tanë do të jenë zëri i qytetit në çdo mbledhje të këshillit komunal.
Do të kërkojnë llogari për çdo vendim, do të ngulin këmbë në çdo padrejtësi, do të jenë syri dhe veshi i Kërçovës në katër vitet që vijnë.
Ne nuk largohemi nga përgjegjësia.
Ne nuk heshtim kur duhet folur.
Ne do të jemi aty për qytetin tonë, për familjet tona, për mërgatën tonë dhe për çdo kërçovar që do dinjitet.
Kërçova ka humbur shumë këto zgjedhje.
Por nuk ka humbur shpresën.
Dhe unë do të jem me ju për ta rikthyer atë me punë, me sinqeritet dhe me moral.
Me respekt,
Shkodran Alili