Universiteti i Tetovës e zhvillon Kongresin Ndërkombëtar mbi Shkencat Humane, Shoqërore dhe Artet – një ngjarje akademike që bashkon profesorë, studiues dhe ekspertë nga rajoni dhe më gjerë. Kongresi përfshin një seri konferencash ndërkombëtare të fakulteteve të ndryshme, duke përfshirë Fakultetin e Ekonomisë, Fakultetin e Filologjisë, Fakultetin e Juridikut, Fakultetin e Filozofisë dhe Fakultetin e Pedagogjisë.
Në hapjen e punimeve të këtij kongresi studiuesve dhe pjesëmarrësve në amfiteatrin “Sevasti dhe Parashqevi Qiriazi” me një videomesazh nga Londra iu drejtua Rektori i UT-së Prof. Dr. Jusuf Zejneli i cili i përshëndeti punimet e këtij kongresi dhe njëherazi i përgëzoi të gjithë pjesëmarrësit për punën dhe kontributin e tyre që e japin në zhvillimin e arsimit dhe shkencës në përgjithësi.
Prorektori për Shkencë Prof. Dr. Vullnet Ameti në hapjen e punimeve të Kongresit Ndërkombëtar të Shkencave Sociale, Humane dhe Arteve, theksoi se kjo ngjarje e kurorëzon përpjekjen e Universitetit të Tetovës për të qenë jo vetëm një qendër akademike, por edhe një laborator idesh, vizionesh dhe transformimesh të mëdha shoqërore. “Ky kongres është dëshmi e fuqisë që ka bashkimi i disiplinave, ndërveprimi mes mendimit shkencor dhe realitetit shoqëror. Në këto dy ditë, në Universitetin e Tetovës do të kumtohen 265 punime shkencore, nga mbi 450 autorë e bashkëautorë, në 25 seanca paralele e 4 seanca plenare, që prekin gjithë spektrin e dijes: nga gjuha dhe letërsia, tek ekonomia, filozofia, pedagogjia dhe e drejta. Nëpërmjet pesë konferencave ndërkombëtare që zhvillohen në kuadër të këtij kongresi — nga ato mbi gjuhët dhe letërsitë e Ballkanit e të botës, deri te sfidat e integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor, rezistenca gjeoekonomike, çështjet sociokulturore apo riformësimi i arsimit në epokën digjitale — Universiteti i Tetovës po dëshmon se shkenca është dialog dhe se dija merr kuptim vetëm kur është e hapur ndaj tjetrit.” – tha Prof. Dr. Vullnet Ameti.
Ai më tej vuri në dukje se ky kongres zhvillohet në një kohë kur shoqëria, si nocion dhe si realitet, po përjeton ndryshime të paprecedenta. Dinamika e re e komunikimit, inteligjenca artificiale, migrimet, luftërat e perceptimit e të informacionit – të gjitha këto po e shtyjnë mendimin shkencor drejt një horizonti të ri, ku duhen rishikuar konceptet e dijes, të etikës dhe të përgjegjësisë.
Si folëse kryesore e këtij kongresi ishte znj. Majlinda Bregu, ish-Sekretare e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC). Në fjalën e saj, znj. Bregu solli një reflektim të thellë mbi rolin e arsimit, transformimet globale dhe sfidat që përballon sot shoqëria moderne në rajonin e Ballkanit dhe më gjerë. Në hyrje të fjalimit të saj e cilësoi Universitetin e Tetovës si dëshmi të gjallë të përpjekjes për dije, liri dhe dinjitet kombëtar, duke vlerësuar themeluesit e tij si pionierë të arsimit shqip në kushte të vështira historike. Duke iu referuar figurave të njohura të historisë shqiptare, ajo theksoi se “arsimi mbron lirinë më mirë se një ushtri, dhe se shoqëritë që investojnë në dije, ndërtojnë paqe dhe stabilitet afatgjatë.”
Në vijim, znj. Bregu theksoi nevojën për të forcuar rolin e universiteteve si hapësira të mendimit të lirë, kërkimit shkencor dhe ideve që sfidojnë status quo-në sepse shoqëria ka nevojë për më shumë ide, jo vetëm për më shumë tituj. Fjalimi i saj u ndal edhe te ndryshimet e mëdha që po sjell epoka moderne – nga inteligjenca artificiale dhe robotika, deri te tranzicioni energjetik – fenomene që po ndikojnë në mënyrën se si mësojmë, punojmë dhe komunikojmë. Ajo ngriti pyetje të rëndësishme për etikën e përdorimit të teknologjisë dhe ndikimin e saj në demokraci dhe institucionet publike, duke paralajmëruar për rrezikun e diskriminimit algoritmik nëse mungon kontrolli etik e ligjor.
Në një analizë të drejtpërdrejtë, ajo theksoi se tregu i punës po ndryshon me shpejtësi dhe kërkon aftësi praktike, fleksibilitet dhe inovacion, më shumë se sa diploma formale. Znj. Bregu po ashtu foli për vonesat e procesit të integrimit europian, por edhe për detyrimet që kanë vendet e Ballkanit për t’u transformuar vetë, në vend që të presin ndryshime nga jashtë. Ajo solli shembuj konkretë nga nismat e Procesit të Berlinit, si heqja e tarifave roaming dhe njohja e diplomave në rajon, të cilat dëshmojnë se bashkëpunimi sjell rezultate të prekshme.
Në mbyllje të fjalës, Majlinda Bregu iu drejtua studentëve me një mesazh të fortë shprese: “Mos e kërkoni të ardhmen diku tjetër – krijojeni atë këtu. Shpopullimi nuk është triumf i lirisë, por humbje e përbashkët e kombit”. Ky fjalim i Majlinda Bregut u prit me interes të madh nga pjesëmarrësit e kongresit dhe profesorati universitar, duke dhënë tonin për një debat të ri mbi rolin e dijes, etikës dhe bashkëpunimit rajonal në epokën digjitale.
Kongresi do t’i vijojë punimet deri më 13 nëntor 2025 ndërsa pjesëmarrësit do të kenë mundësi të diskutojnë mbi temat më aktuale në shkencat humane, sociale dhe arte, të ndajnë përvojat kërkimore dhe të thellojnë bashkëpunimin ndëruniversitar. Një nga aktivitetet e veçanta të kongresit është workshop-i i Fakultetit të Pedagogjisë, i fokusuar te transformimi nga klasa tradicionale në klasë virtuale dhe përdorimi i syzeve të realitetit virtual për mësimdhënie inovative. Ky kongres pasqyron angazhimin e Universitetit të Tetovës për të promovuar kërkimin shkencor, dialogun akademik dhe zhvillimin e ideve inovative në fushat humane, shoqërore dhe artistike, duke e pozicionuar universitetin si një qendër të rëndësishme akademike në rajon.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com