“Tri vende, dy liqene, një destinacion,” thotë ambientalistja greke Mirsini Malakou, e cila ka punuar për këtë vizion në Ballkan për 30 vjet. Malakou është drejtuese e Shoqatës për Mbrojtjen e Prespës (SPP), një organizatë jofitimprurëse greke që synon të ruajë një nga ekosistemet më të vjetra ujore me ujë të ëmbël në Evropë, liqenet e Prespës. Pellgu i rrethuar nga malet, ku ndodhen Liqeni i Prespës së Madhe dhe Liqeni i Prespës së Vogël, u formua rreth pesë milionë vite më parë, shumë kohë përpara se njeriu të bëhej pjesë e ekosistemit apo shtetet të vendosnin kufij.
Në vende ku dominon politika nacionaliste, si në Ballkan, bashkëpunimi ndërkufitar është tejet i ndërlikuar. Por kriza ekzistenciale me të cilën përballen dy liqenet e Prespës – tërheqja e vijës së bregut liqenor dhe sfida për të mbrojtur më shumë se 2,000 specie peshqish, zogjsh, gjitarësh dhe bimësh – do të thotë se nuk ka alternativë tjetër përveç bashkëpunimit të tillë.
Një nga banorët më të spikatur të Prespës është pelikani dalmatian me sqepin e tij të madh rozë dhe portokalli, puplat e bardha dhe puplat kaçurrela pas qafës. Rreth 1,500 çifte të kësaj specieje të rrallë jetojnë në ekosistemin e pasur të Prespës, duke e bërë atë koloninë më të madhe të pelikanëve dalmatianë në botë. Vetë pelikanët tregojnë se kufijtë politikë nuk kanë kuptim për botën e virgjër.
Mirsini Malakou drejtuese e Shoqatës për Mbrojtjen e Prespës (SPP), një organizatë jofitimprurëse greke që synon të ruajë një nga ekosistemet më të vjetra ujore me ujë të ëmbël në Evropë, liqenet e Prespës.Fotografi: Florian Schmitz/DW
“Ata shumohen në Greqi, ushqehen në Maqedoninë e Veriut dhe flenë në Shqipëri,” thotë Malakou. Nëse një pjesë e këtij cikli tre-vendesh të pelikanëve prishet – shumimi, ushqyerja apo gjumi – të tjerat preken menjëherë. Po ashtu edhe kur plehrat kimike të fermerëve apo mbetjet e bagëtive çlirojnë toksina në liqene, cilësia e ujit në të tre vendet përkeqësohet. Tri dekada më parë, ambientalistë si Malakou e kuptuan se duhej të shikonin përtej kufijve dhe të punonin së bashku e jo kundër njëri-tjetrit, nëse donin të ruanin ekosistemin e liqeneve.
Pas rënies së komunizmit në Shqipëri dhe Jugosllavi (së cilës i përkiste atëherë Maqedonia e Veriut), grindjet historike u rikthyen dhe antagonizmat e rrezikshëm përfshinë Ballkanin. Greqia dhe Shqipëria, për shembull, kurrë nuk shpallën zyrtarisht paqe pas Luftës së Dytë Botërore, ndërsa Greqia dhe Maqedonia e Veriut ishin të përfshira në një mosmarrëveshje të gjatë mbi emrin zyrtar të kësaj të fundit. Por, pavarësisht këtyre tronditjeve kombëtare, OJQ-të mjedisore në të tre vendet rreth liqeneve të Prespës filluan të lidhen dhe të punojnë së bashku. “Në Maqedoninë e Veriut dhe Shqipëri, shtetet ishin ende në proces formimi,” shpjegon Malakou. “Ne nisëm thjesht duke shkëmbyer mendime dhe ide.” Me kalimin e kohës, SPP dhe dy OJQ të tjera (PPNEA në Shqipëri dhe Shoqëria Ekologjike Maqedonase në Maqedoninë e Veriut) bashkuan forcat dhe krijuan një aleancë ndërkombëtare të quajtur Prespa Net. Në mënyrë thelbësore, OJQ-të e Prespa Net e trajtojnë çështjen e liqeneve si një problem mjedisor dhe jo kombëtar, një qasje që mund të funksionojë edhe në pjesë të tjera të Ballkanit dhe më gjerë.
Problemet që prekin liqenet e Prespës janë mëse evidente: uji është tërhequr vazhdimisht për 20 vjet, duke lënë pas shkëmbinj, rërë dhe tokë kullote aty ku dikur përplaseshin valët. Daniela Zaec, menaxhere e Shoqatës Ekologjike Maqedonase në Resen, e shpjegon zhdukjen e ujit me ndryshimet klimatike dhe aktivitetin njerëzor, si bujqësia.
“Kemi shumë pemëtore në këtë zonë dhe njerëzit përdorin ujin e liqenit për ujitje,” thotë ajo. Kjo mund të shkatërrojë habitatet e ligatinave, të cilat më pas kthehen në tokë bujqësore që kërkon edhe më shumë ujitje.
Duke marrë shembull nga përvoja pozitive e SPP-së në përfshirjen e komunitetit lokal në Greqi, OJQ-ja e Zaec fokusohet në ndërgjegjësimin e komunitetit në mënyrë të ngjashme. Ajo e gjen punën me të rinjtë veçanërisht frytdhënëse. “Ne çojmë nxënësit në parqet kombëtare dhe u tregojmë se si punojmë,” shpjegon ajo. Edhe pse të tria organizatat duan që këto programe edukative të jenë ndërkufitare, ato ende nuk janë — politika vazhdon të pengojë bashkëpunimin. Malakou thotë se brezat e rinj të ambientalistëve janë më pak të ndikuar nga nacionalizmi toksik. Për ta, bashkëpunimi ndërkufitar është thelbësor jo vetëm për të trajtuar problemet e rajonit, por edhe për të jetuar në një kontekst europian.
Adnan Bego është një inxhinier mjedisor 26-vjeçar që punon për PPNEA në Shqipëri. “Unë u angazhova si vullnetar për një vit dhe më pas nisa punën këtu. Nuk është e lehtë të gjesh punë dhe shumë të rinj nga Shqipëria shkojnë në Gjermani apo Itali,” tha ai për DW. PPNEA bashkëpunon ngushtë me shërbimin e parqeve kombëtare shqiptare për të monitoruar arinjtë e Prespës. Ajo organizon edhe grupe turistësh ndërkombëtarë, duke i njohur me bukuritë natyrore të Prespës dhe ekosistemin e saj të ndjeshëm. Bego shpreson që kombinimi i ekologjisë dhe turizmit të inkurajojë emigrantët të kthehen në atdhe ose të mos largohen fare. Zhvillimi i turizmit nënkupton gjithashtu zhvillim të infrastrukturës bazë — rrugë, sisteme ujësjellësi, rrjete elektrike, internet — që do të ishte një përfitim i madh për jugun e varfër të Shqipërisë.
Banorët që jetojnë pranë liqeneve në të tre vendet duan të ringjallin ekonomitë e tyre lokale përmes turizmit. Ata thonë se ekoturizmi ndërkufitar në Prespë mund të jetë një mundësi fitimprurëse për investitorët dhe insistojnë se zhvillimi nuk do të dëmtojë natyrën. Në të njëjtën kohë, OJQ-të e Prespa Net duan të sigurohen që turizmi dhe mbrojtja e natyrës të mos bien ndesh. Koncepti që po merr formë përfshin të tre vendet dhe promovon peizazhet e paprekura të rajonit: turistët mund të ecin në shtigje natyrore panoramike, të kalojnë lirshëm nga një vend në tjetrin, të hanë peshk nga liqenet e pastra dhe produkte vendase në hotele e restorante të menaxhuara nga komuniteti lokal — një vizion i vetëm për të gjitha komunitetet përreth Prespës. Realiteti aktual, megjithatë, është ndryshe. Deri tani, vetëm një numër i vogël pushuesish vizitojnë liqenet çdo vit. Tërheqja e ujit e bën liqenin të ndotur me baltë dhe alga. Një shteg ecjeje që rrethon liqenet mbetet i papërfunduar.
Në një kohë kur edhe vendet anëtare të BE-së po mbyllin kufijtë, vizioni i hapjes në rajonin e Prespës shkon kundër rrymës. Forca e qëndrueshme e Prespa Net qëndron në efikasitetin e rrjetit të saj informal, thonë anëtarët e saj. Me vendosmëri dhe një qasje të zgjuar, OJQ-të kanë mësuar si të anashkalojnë pengesat që qeveritë kombëtare kanë vendosur përpara tyre. Për më tepër, vitet e bashkëpunimit të tyre tregojnë se ky lloj bashkëpunimi ndërkufitar është i dobishëm për të gjithë banorët e rajoni, përfshirë edhe pelikanët dalmatianë.
Autorë: Ismini Balale | Paul Hockenos | Florian Schmitz