TIRANË– Kryeministri i vendit, Edi Rama mori pjesë në Konferencën Vjetore të IAIS (Organizata Botërore e Mbikëqyrësve të Sigurimeve), ku theksoi se bota po përballet me sfida të jashtëzakonshme, por njëkohësisht edhe me mundësi të reja që mund të shfrytëzohen përmes bashkëpunimit global.

Në fjalën e tij, Rama u shpreh se inovacioni, bashkëpunimi dhe angazhimi i përbashkët janë çelësat për t’i kthyer krizat në potencial zhvillimi.

“Sfida përpara nesh janë të pamata, por po kështu janë edhe mundësitë. Së bashku, përmes inovacionit dhe bashkëpunimit, ne mund të transformojmë pasigurinë në rezistencë, kompleksitetin në forcë dhe krizën në mundësi të reja,” tha ai.

Kryeministri nënvizoi se në realitetin e sotëm global, asnjë vend nuk mund të përballet i vetëm me sfidat, duke theksuar rëndësinë e unitetit ndërkombëtar.

“Askush nuk mund ta shpëtojë veten apo kombin e tij i vetëm. Ose të gjithë kombet do të bashkohen për të shpëtuar njerëzimin, ose njerëzimi do të shkojë në humnerë bashkë me të gjitha kombet,” deklaroi Rama.

Konferenca e IAIS mblodhi në Tiranë drejtues dhe ekspertë nga vende të ndryshme të botës, të cilët diskutuan për të ardhmen e sektorit të sigurimeve dhe rolin e tij në përballimin e rreziqeve globale/abcnews.al

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com