Hisedarët rusë kanë rënë dakord të shesin pjesën e tyre të aksioneve në Industrinë e Naftës e Serbisë (NIS), që është 56.15 për qind, tha ministrja e Minierave dhe Energjisë së Serbisë, Dubravka Gjedorviq Handanoviq, sipas mediave.
NIS-i është nën sanksione amerikane që nga 9 tetori, për shkak se shumica e pronësisë është ruse.
Ministrja serbe tha se emri i palës së tretë nuk bëhet publik pasi “bëhet fjalë për negociata biznesi mes kompanive serioze”, dhe se “derisa të përfundojnë bisedimet, ose të paktën të ketë pajtim për detajet kryesore, nuk është e përgjegjshme të flitet për këtë”.
“Qëndrimi ynë është i qartë: rafineria duhet të vazhdojë punën dhe duhet të sigurohet sa më shpejt furnizimi i ri me naftë të papërpunuar”, tha ajo.
Më herët, NIS-i i ishte drejtuar administratës amerikane për të kërkuar një licencë të posaçme që do t’i mundësonte vazhdimin e operimeve derisa të përmbyllen negociatat mes aksionarëve dhe palëve të interesuara për ndryshimin e strukturës së pronësisë.
NIS njoftoi se i ka dërguar një kërkesë Zyrës për Kontrollin e Pasurive të Huaja (OFAC) në Departamentin amerikan të Thesarit për marrjen e një licence të re, që do të lejonte vijimin e operimeve gjatë procesit të negociatave për një zgjidhje të qëndrueshme për NIS-in.
“Sipas statusit të bisedimeve mes aksionarëve dhe palëve të interesuara, është dërguar kërkesa në OFAC për marrjen e një licence të re që do të lejonte funksionimin e kompanisë derisa të përfundojnë negociatat”, thuhet në njoftim.
Me licencën e mëparshme, të lëshuar më 14 nëntor dhe me afat deri më 13 shkurt, aksionarëve dhe palëve të tjera u ishte mundësuar zhvillimi i negociatave për ndryshimin e strukturës së pronësisë së NIS-it.
Departamenti amerikan i Thesarit e ka futur NIS-in në listën e sanksioneve që në janar, ndërsa pas disa shtyrjeve, sanksionet hynë në fuqi më 9 tetor./rel