Kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani, së bashku me Kryetarin e Këshillit Komunal, Valdet Xhaferi, morën pjesë në ceremoninë e shënimit të 117-vjetorit të Alfabetit të Gjuhës Shqipe, një nga gurthemelët e identitetit dhe unitetit kombëtar shqiptar.

Ceremonia u organizua nga Qendra për Kulturë në Gostivar, në bashkëpunim me Komunën dhe shkollat e qytetit, dhe përfshiu një program të pasur artistik me këngë, recitale dhe valle tradicionale shqiptare nga nxënësit e shkollave fillore. Limani theksoi se performancat e nxënësve rikujtuan jo vetëm gjallërinë dhe vlerën e gjuhës shqipe, por edhe rëndësinë e respektit ndërkulturor në një shtet multietnik.

“Alfabeti i vendosur nga burrat e urtë të Kongresit të Manastirit mbetet trashëgimi thelbësore që ruan gjuhën, kulturën dhe vetëdijen tonë kombëtare,” tha Limani. Ai falënderoi të gjithë pjesëmarrësit për atmosferën e ngrohtë dhe emocionale dhe uroi: “Zoti e bekoftë gjuhën shqipe! Zoti bekoftë çdo gjuhë të botës!”, njofton TS.

Ceremonia e 117-vjetorit të Alfabetit të Shqipes forcoi edhe një herë rëndësinë e gjuhës si element lidhës dhe simbol të unitetit dhe identitetit kombëtar./TS

 

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com