Ballkani Perëndimor po futet me shpejtësi në një spirale të re armatimesh, me Serbinë që vijon rolin e një fuqie të plotë ushtarake duke e vendosur rajonin nën presionin e një ekuilibri të ri force.

Të dhënat e Institutit Ndërkombëtar të Kërkimeve për Paqen në Stokholm (SIPRI), të përpunuara nga Faktoje.al, tregojnë se të gjitha shtetet e Ballkanit kanë rritur buxhetet e mbrojtjes gjatë pesëvjeçarit të fundit.

Por kjo rritje nuk ka qënë e barabartë.

Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, si vende anëtare të NATO-s, kanë investuar kryesisht në modernizimin e strukturave, ndërveprueshmërinë dhe teknologjitë e lehta. Kosova dhe Bosnja kanë qenë të fokusuara te ndërtimi i kapaciteteve bazike dhe profesionalizimi i trupave.

Serbia shpenzon 4 deri në 5 herë më shumë se gjashtë vendet e tjera të rajonit së bashku. Nga 1.5 miliardë dollarë në vitin 2019, buxheti i saj ushtarak ka arritur mbi 2.2 miliardë dollarë në vitin 2024, duke shënuar një rritje prej 46 për qind.

Po ashtu, Serbia është i vetmi vend në Evropë që furnizohet njëkohësisht nga Lindja dhe Perëndimi.

Ajo kombinon avionët MIG-29 dhe artilerinë ruse me sistemet HQ-22 dhe dronët luftarakë CH-92A nga Kina, ndërkohë që ka blerë radarë GM200/GM400 dhe ka nënshkruar kontratë për 12 avionë Rafale nga Franca.

Nga ana tjetër, Serbia ka modernizuar tanket T-72 dhe ka ngritur industri të brendshme për blindat, municionet dhe raketat, duke u shndërruar në një enigmë strategjike për Bashkimin Evropian dhe NATO-n.

Kolonel Dritan Demiraj e përmbledh këtë situatë duke thënë se Serbia është sot e vetmja fuqi e plotë ushtarake në Ballkan, e furnizuar njëkohësisht nga Moska, Pekini dhe Parisi, gjë që krijon një pabarazi të thellë me fqinjët e saj.

“Serbia krejt ndryshe nga vendet e tjera të Ballkanit, vazhdon të ndjekë një autonomi strategjike dhe vizion të qartë të bashkëpunimit me të gjithë superfuqitë dhe blloqet ushtarake”, pohon kolonel Demiraj për Faktoje.al.

Kohët e fundit, Serbia ka shtrirë bashkëpunimin e saj edhe me Izraelin.

“Sapo ka firmosur një marrëveshje në vlerën e 1.6 miliardë dollarëve me kompaninë ‘Elbit Systems’ e cila konsiston në blerjen e sistemeve me artileri të distancave të gjata, dronë sulmi, sisteme ISTAR për inteligjencës, survejim, dhe targetim me precision, sisteme për luftën elektronike dhe C4I (komandim-kontroll, komunikim, kompjutera dhe Inteligjencë). Ajo që vlen edhe më shumë, është se Izraeli do të ndihmojë në zhvillimin e kapaciteteve operacionale kombëtare në drejtim të transferimit të teknologjisë ushtarake dhe në fushën e inteligjencës” shpjegon kolonel Dritan Demiraj.

Kjo nuk është thjesht çështje kapacitetesh, por çështje vullneti politik dhe ambicieje rajonale. Serbia ka trashëguar një industri të fuqishme armatimesh.

“Në vitet e fundit, Serbia ka qenë eksportuese e madhe dhe e pasur e armatimeve, me vlera që janë rritur në mënyrë të vazhdueshme nga rreth 384 milionë dollarë në 2020 në 1.6 miliardë në 2023, duke reflektuar rolin e saj si një furnizues i rëndësishëm global në tregun ushtarak”, thotë Eno Luarasi, autor i emisionit WAR ZONE në A2CNN.

Ai shton se vendi po ndërton stoqe për një horizont afatgjatë konfliktual.

“Heqja e përkohshme e eksporteve në 2025 duket të jetë një veprim strategjik për menaxhimin e sfidave diplomatike dhe për të siguruar fuqinë dhe qëndrueshmërinë e vet ushtarake në një kontekst të globalizuar dhe konfliktual”

Sipas Luarasit, Serbia nuk blen për t’u modernizuar, por prodhon për të rritur ndikimin e saj strategjik, duke e përdorur industrinë si instrument politik po aq sa ushtarak.

Ndërkohë, shtetet e NATO-s në Ballkan, edhe pse kanë rritur shpenzimet, mbeten të varura nga infrastruktura dhe garancitë e Aleancës. Investimet e tyre fokusohen në radarë dhe sisteme vëzhgimi, forca speciale dhe njësi të reja, dronë dhe kundër-dronë, modernizimin e logjistikës, si dhe strukturimin e rezervës dhe mobilizimit.

Demiraj e cilëson këtë si një ristrukturim të nevojshëm, por të pamjaftueshëm, duke paralajmëruar se NATO garanton ombrellën, por jo kapacitetet vendase, dhe se Ballkani nuk mund të varet vetëm nga importet, por duhet të ndërtojë industri për municione, dronë, sisteme anti-ajrore dhe rezerva strategjike.

“Në këtë këndvështrim, Ballkani Perëndimor (ka filluar se) në bashkëpunim me NATO-n po përpiqet të rrisë kapacitetet e saj ushtarake dhe të krijojë aleanca të reja rajonale të cilat aktualisht janë në fazën e tyre fillestare”, argumenton Demiraj.

Shqipëria krahasuar me fqinjët e tjerë, ka shënuar progres vitet e fundit. Shpenzimet e mbrojtjes u rritën nga 248 milionë dollarë në vitin 2019 në 481 milionë dollarë në vitin 2024, një rritje prej 93 për qind, më e larta në rajon për vendet e NATO-s.

Buxheti i mbrojtjes për vitin 2026 është dokumenti më ambicioz që Shqipëria ka miratuar ndonjëherë në këtë sektor. Rritja e tij me afro 12% krahasuar me vitin aktual ka dy objektiva.

Së pari, modernizimi i Forcave të Armatosura në standardet e NATO-s, ku mbështetja e luftimit rritet me 37.8 për qind, forcat e luftimit me 9.35 për qind, ndërkohë që investohet në logjistikë, depot strategjike, sistemet e zbulimit dhe mbrojtjes ajrore, si dhe rritjen e kapaciteteve të ndërhyrjes së shpejtë.

Së dyti dhe më e rëndësisshmja ngritja e industrisë së mbrojtjes “Made in Albania”, ku qeveria synon prodhimin e municioneve, dronëve taktikë dhe kundër-dronëve, mjeteve të blinduara të lehta, pajisjeve taktike dhe mbrojtëse, si dhe krijimin e qendrave të mirëmbajtjes për aleatët e NATO-s.

Kolonel Demiraj vlerëson se Shqipëria vitet e fundit ka bërë hapa pozitivë në drejtim të rritjes të kapaciteteve të mbrojtjes, por ai shton se sfidat e sotme kërkojnë kapacitete ushtarake shumë më të larta.

“Një pikë tjetër e rëndësishme është integrimi i përbashkët i strukturave ushtarake të Shqipërisë, Kosovës dhe të Kroacisë. Investimet e përbashkëta në fushën e industrisë ushtarake, stërvitjeve të përbashkëta, luftën kundër kërcënimeve hibride, luftës kibernetike dhe rritjen e ndërveprueshmërisë ushtarake janë positive, por duhet të materializohen në praktikë”, shpjegon ai.

Ballkani Perëndimor ka hyrë në një fazë të re të sigurisë ku Serbia ka përfunduar fazën e parë të militarizimit, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi po modernizohen ngadalë, Kosova po ndërton ushtrinë e saj nga themelet, ndërsa Shqipëria pritet të bëjë hapin më të madh të dekadës.

Ndonëse industria e armatimeve “Made in Albania” është ende në fazë embrionale, premton t’i sjellë vendit prodhim municionesh, dronësh dhe sistemesh anti-dron që mund të sigurojnë pavarësi të pjesshme dhe mundësi eksporti në tregjet e NATO-s.

Loja nuk është më ajo e viteve 2010, por është garë kohe, kapacitetesh dhe industrie. Për herë të parë pas viteve ’90 armatimet janë pjesë e politikës së jashtme, dhe se kush e kupton këtë mbijeton, ndërsa kush jo mbetet pre e ngjarjeve.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com