FIFA mund të provojë një ndryshim të madh të rregullit të goditjeve nga këndi në Kupën e Botës 2026, pasi figura të larta brenda organizatës po shtyjnë për këtë.
Kupa e Botës 2026 do të zhvillohet në Amerikën e Veriut nga 11 qershori deri më 19 korrik. Shteti kryesor pritës është SHBA-ja, ndërsa Kanadaja dhe Meksika do të jenë bashkë-organizatore.
Turneu i verës së ardhshme do të duket shumë ndryshe nga Botërorët e mëparshëm, pasi do të jetë i pari që përfshin 48 kombëtare, nga 32 që ishin më parë. Dhe numri i skuadrave mund të mos jetë i vetmi ndryshim i madh.
Kjo sepse FIFA mund të marrë leje të veçantë që VAR-i të ketë kompetenca shtesë në Botërorin e ardhshëm, përfshirë edhe vendimet për goditjet nga këndi.
Sipas “The Times”, figura të larta në FIFA po shtyjnë që VAR-i të ndërhyjë nëse arbitrat besojnë se një goditje nga këndi është dhënë gabimisht.
Ky hap do t’u jepte organizatorëve lejen të përdorin këto kompetenca shtesë në mënyrë të përkohshme ose eksperimentale.
Figura të larta dhe organizatorë argumentojnë se rreziku është shumë i madh për të lejuar gabime të tilla.
Ata besojnë se vendimet duhet të jenë sa më të sakta, sidomos kur bëhet fjalë për momente vendimtare që mund të ndryshojnë rezultatin e ndeshjes – dhe do të ishte një çështje serioze nëse një goditje nga këndi e dhënë gabimisht ndryshon rezultatin e finales.
VAR-i mund të lejohet gjithashtu të rishikojë kartonët e dytë të verdhë për të konfirmuar nëse përjashtimi është i drejtë.
Çdo ndryshim në rregulla do të hyjë në fuqi nga 1 qershori – në kohë për Kupën e Botës së verës së ardhshme.
Anëtarët e bordit të IFAB-it (International Football Association Board) do të duan të sigurohen se çdo zgjerim i kompetencave të VAR-it nuk do të shkaktojë vonesa të tjera dhe se çdo vendim i ri duhet të merret nga zyrtarët e videos brenda disa sekondave.
IFAB-i përbëhet nga katër federatat britanike, secila me një votë, dhe FIFA me katër vota.
Çdo ndryshim në rregullat e lojës kërkon të paktën gjashtë nga tetë votat që të miratohet.