Mbrojtësi brazilian, Danilo ishte vendimtar në triumfin e Flamengos në Copa Libertadores në futbollin amerikano-jugor.
Ai shënoi në minutën e 67-të të finales së madhe ndaj Palmerias, për t’ia dhuruar trofeun e këtij kompeticioni skuadrës së drejtuar nga ish-futbollisti i njohur, Filipe Luis.
Kështu, me këtë triumf, Danilo bëri diçka që s’e ka bërë askush më parë në historinë e futbollit.
Danilo bëhet lojtari i parë në histori që fiton nga dy herë së paku Ligën e Kampionëve dhe Copa Libertadores (e cila është pothuajse e njëjtë si Liga e Kampionëve, por në Amerikën e Jugut).
Ai e fitoi dy herë Ligën e Kampionëve me Real Madridin, në sezonet 2015/16 dhe 2016/17.
Ndërkohë, Copa Libertadores, ai e fitoi më 2011 me Santosin, dhe më 2025 me Flamengon.
Në karrierën e tij në Evropë, Danilo luajti për Juventusin për gjashtë sezone, për Manchester Cityn për dy sezone, për Realin dy sezone dhe për Porton në katër sezone, ku u transferua nga Santosi më 2012.