VLEN ose zbrazëtia e një bashkimi pa projekt: Midis Izetit dhe Bilallit, dhe përballë Mickoskit që nuk fal
Nga Baton HAXHIU
Zgjedhjet e fundit në Maqedoninë e Veriut nuk i fitoi një koalicion. As një lider. I fitoi një revoltë. Ajo revoltë kishte shumë forma, por një frymë të vetme: të ndëshkojë BDI-në. Dhe për këtë mision, qytetarët shqiptarë,me ose pa iluzione, zgjodhën VLEN-in si instrument. Jo si projekt. Jo si ideologji. Jo si filozofi e përfaqësimit. Por si mjet.
Ky është problemi themelor i këtij bashkimi: nuk lindi si domosdoshmëri për të artikuluar një të ardhme, por si nevojë për të penguar të kaluarën të vazhdojë. Kjo e bën të fortë në moment, por të dobët në strukturë. Dhe kjo dallon më së shumti kur e shohim tensionin brenda vetë VLEN-it, midis Izet Mexhitit, që përpiqet ta ndërtojë me durim këtë projekt, dhe Bilall Kasamit, që ende sillet sikur
VLEN-i është një strehë për krizën personale të subjektit të tij.
Izet Mexhiti është ndoshta politikani më sistematik i brezit të tij. Ai është i vetmi që e ka trajtuar koalicionin VLEN si një projekt për ndërtimin e një të djathte të re shqiptare, një qendër e djathtë që nuk turpërohet nga termat si konservatorizëm, identitet, meritokraci. Por ai është më i vetmuar se ç’duket. Sepse pjesa tjetër e koalicionit e sheh këtë bashkim si “bashkim rasti”, jo si “projekt kombëtar”. Qetësia e tij është qartësia e një njeriu që e di se çfarë duhet të ndërtohet. Por edhe ai tashmë e di se votat nuk janë dhënë për të, por për shpresën që ndoshta nga ky grupim del dikush që mund t’i besosh.
Një çështje tjetër që i jep tonin e pasigurisë këtij bashkimi është prania e Bilall Kasamit si figurë dominuese në retorikë, por e zbehtë në mendim. Sondazhi e ka bërë të qartë se perceptimi për të është i paqëndrueshëm. Ai
shihet si më i dobëti në diskurs, më i paqarti në drejtim dhe më i varuri nga rrethana që nuk kanë të bëjnë me votën. “Është një figurë që nuk flet dot për të ardhmen, sepse nuk ka projekt. Nuk përfaqëson dot qendrën e djathtë, sepse nuk beson në strukturë, por në spontanitet.” Më shumë se një lider politik, ai është shndërruar në një administrator të frikësuar, që qeveris me heshtje. Dhe ajo që është më shqetësuese, është perceptimi i përgjithshëm që Kasami kontrollohet nga një organizatë joqeveritare që nuk ka legjitimitet për përfaqësim politik. Drejtimin e mendimit të tij politik, prej vitesh, e mban një strukturë e quajtur “Eco Guerilla”, e udhëhequr nga Adnan Jashari, që më shumë i ngjan një rrjeti aktivistësh sesa një truri politik me përvojë shtetërore.
Një nga citimet më domethënëse në këtë drejtim, në një nga grupet e fokusit, ishte: “Kasami nuk e ka më të qartë raportin me Lëvizjen Vetëvendosje as me VMRO-në.
Kjo tregon se ai s’është ende lider, por instrument.”
Të gjitha sinjalet tregojnë se një pjesë e opinionit publik shqiptar po i rikthehet besueshmërisë. Jo formave. Jo partive. Por atyre që flasin qartë. Dhe në këtë aspekt, askush nuk ka qenë më koherent dhe më i drejtpërdrejtë në raport me VMRO-në dhe Maqedoninë zyrtare sesa Menduh Thaçi. Ai nuk ka pasur as votat, as pushtetin e të tjerëve. Por ka pasur diskursin. Dhe sot, kur VLEN është e heshtur në raport me qëndrimin e Mickoskit, kur nuk artikulohet qartë as për rrugën evropiane, as për çështjen e pakicave, as për vendin e shqiptarëve në shtetin e ri që po riartikuluhet, është Menduh Thaçi që mbetet i vetmi me fjalë të qarta.
Sepse ai nuk e ndan identitetin nga përfaqësimi. Dhe kur Mickoski sulmon qëndrimet pro-BE, e relativizon përfshirjen e shqiptarëve në shtet, e rrënon balancën institucionale, VLEN nuk flet. Dhe kjo heshtje do të ketë një çmim politik.
VLEN mund të mbijetojë si koalicion. Por në këtë formë, nuk mund të qeverisë as diskursin, as mendjet. Ajo që duhet tani është një projekt i qendrës së djathtë shqiptare, që e pozicionon qartë veten ndaj VMRO-së, që ndërton besim institucional dhe nuk e sheh përfaqësimin si koncesion. Një projekt që flet për meritokraci, për reforma në arsim, për identitet kulturor të vetëdijshëm. Një projekt që nuk ka frikë të flasë për Shqipërinë dhe Kosovën si pjesë e botës shqiptare, por as për integrimin në BE si rrugë e përbashkët me maqedonasit.
Nëse diçka e ka kuptuar ky sondazh është se qytetarët shqiptarë nuk kanë më durim për të eksperimentuar me boshllëqe. Ata kërkojnë qartësi, ide dhe përfaqësim të besueshëm. Dhe nëse VLEN nuk transformohet në këtë drejtim, atëherë zgjedhjet e ardhshme nuk do të jenë më për të ndëshkuar të kaluarën. Do të jenë për të zgjedhur të ardhmen.