Presidenti amerikan Donald Trump shkaktoi polemika të reja të martën, pasi deklaroi se nuk dëshiron emigrantë somalezë në SHBA, duke u thënë gazetarëve se ata duhet të “kthehen nga kanë ardhur” dhe se “vendi i tyre është i keq për një arsye”.

Deklaratat u bënë gjatë një mbledhjeje të transmetuar të kabinetit, ku presidenti i quajti emigrantët “plehra” që, sipas tij, mund ta çojnë vendin “në drejtimin e gabuar”.

Komentet vijnë ndërsa mediat amerikane raportojnë për një operacion të planifikuar të imigracionit në komunitetin e madh somalez të Minnesota-s, i cili është më i madhi në SHBA dhe ndër më të mëdhenjtë në botë, shkruan BBC.

Autoritetet lokale paralajmërojnë se një operacion i tillë mund të prekë edhe qytetarë amerikanë që duken si emigrantë të Afrikës Lindore. Minneapolis dhe St. Paul – të njohura si “Twin Cities” – janë shtëpia e rreth 80 mijë personave me origjinë nga Somalia, shumica prej të cilëve janë shtetas amerikanë.

Sipas një burimi për CBS News, qindra persona pritet të jenë objektivi i operacionit të ICE këtë javë. Departamenti i Sigurisë Kombëtare nuk komentoi detaje, por tha se askush nuk synohet për shkak të racës, por vetëm për statusin e paligjshëm.

Gjatë fjalës së tij, Trump i referohej Somalisë si një vend “që mezi funksionon, pa strukturë”, duke thënë se njerëzit “thjesht vrasin njëri-tjetrin”. Më pas ai sulmoi edhe kongresisten Ilhan Omar, somalezo-amerikane dhe përfaqësuese e Minnesotës, duke e quajtur “inkompetente” dhe se “i urren të gjithë”.

Omar reagoi menjëherë në rrjetet sociale: “Fiksimi i tij me mua është i frikshëm. Shpresoj të marrë ndihmën që i duhet.”

Administrata Trump ka ashpërsuar kontrollet e imigracionit pas një incidenti të rëndë në Uashington, ku dy pjesëtarë të Gardës Kombëtare u qëlluan – njëra prej tyre humbi jetën. Autori i dyshuar është me origjinë nga Afganistani.

Presidenti ka paralajmëruar gjithashtu se do të përfundojë statusin e mbrojtur të përkohshëm (TPS) për emigrantët somalezë në Minnesota, një vendim që do të prekte disa qindra persona. Ndërkohë, Sekretarja e Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem, paralajmëroi masa shtesë kundër mashtrimeve me viza në këtë shtet.

Zyrtarët e shtetit e kanë dënuar planin e raportuar:

Senatorja Zaynab Mohamed tha se “pothuajse të gjithë jemi qytetarë amerikanë”, duke theksuar se operacionet e tilla rrezikojnë të godasin njerëz të pafajshëm.

Guvernatori demokrat Tim Walz akuzoi administratën se po bën “një shfaqje propagandistike”, duke shtuar: “Targetimi i paarsyeshëm i emigrantëve nuk është zgjidhje reale.”

Operacioni i ICE pritet të nisë brenda ditëve, ndërsa deklaratat e Trump kanë rritur tensionet në një nga komunitetet më të larmishme dhe më të mëdha të emigrantëve në SHBA.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume