Rikthimi i konfliktit mes Tajlandës dhe Kamboxhias ende po vijon, ndërsa presidenti amerikan Donald Trump njoftoi se do të ndërhyjë për të ndalur përleshjet.
Në korrik të këtij viti, Trump kishte ndërmjetësuar për arritjen e një marrëveshjeje për armëpushim, me qëllim që të mbaronin pesë ditë luftimesh mes dy vendeve fqinje aziatike, sipas Reuters.
Megjithatë, ministri i Jashtëm i Tajlandës deklaroi të martën se nuk sheh hapësirë për negociata lidhur me konfliktin kufitar, duke shtuar se situata nuk është e përshtatshme për ndërmjetësim nga një palë e tretë.
Gjatë një tubimi në Pensilvani të martën, Trump kujtoi se kishte ndihmuar në ndalimin e shumë konflikteve, përfshirë luftërat mes Pakistanit dhe Indisë, Izraelit dhe Iranit, para se të përmendte edhe konfliktin në Azinë Juglindore.
“Urrej të them që konflikti mes Kamboxhias dhe Tajlandës shpërtheu përsëri dhe do të duhet të telefonoj nesër. Kush tjetër do të thoshte se do të telefonojë dhe do të ndalojë luftën mes dy vendeve shumë të fuqishme, Tajlandës dhe Kamboxhias,” tha Trump.
Të paktën 48 persona humbën jetën në përleshje para se armëpushimi i brishtë, i arritur me ndërmjetësimin e Trump, të konsiderohej si më i keqi në historinë e fundit të të dy vendeve fqinje.
Të dy vendet njoftuan gjithashtu se kanë evakuuar qindra mijëra banorë nga zonat kufitare.