Udhëheqësja e opozitës venezuelase, Maria Corina Machado, ka bërë deklarata të forta gjatë një interviste për mediat ndërkombëtare, ku u pyet nëse do të mirëpriste një ndërhyrje ushtarake të Shteteve të Bashkuara në Venezuelë.
Pasi pranoi Çmimin Nobel për Paqe, ajo u shpreh se vendi i saj “është tashmë i pushtuar”, duke akuzuar regjimin aktual se ka lejuar praninë e agjentëve rusë dhe iranianë, si dhe të grupeve të klasifikuara si terroriste, përfshirë Hezbollah dhe Hamas.
Sipas saj, këto grupe “veprojnë lirshëm në bashkëpunim me regjimin”, gjë që përbën, sipas opozitës, një kërcënim serioz për sigurinë dhe sovranitetin e Venezuelës.
Ajo gjithashtu deklaroi se synimi i saj është që ta shndërrojë Venezuelën në “qendrën energjetike, teknologjike dhe demokratike të Amerikës”.
Machado premtoi se vendi do të bëhet një hapësirë “e ndritshme, demokratike dhe e lirë”, duke shtuar se kjo ditë “do të vijë së shpejti”.
Deklaratat e Machados vijnë në një moment tensioni të lartë politik dhe ekonomik në Venezuelë, ndërsa opozita vazhdon përpjekjet për ndryshim të regjimit dhe rikthim të proceseve demokratike në vend.
SHBA-ja tashmë ka bërë thirrje që të largohet nga pushteti presidenti aktual, Nicolas Maduro.