Është arrestuar ish-avokati i shtetit të Maqedonisë së Veriut, Fehmi Stafa. Këtë e kanë konfirmuar për Tellma nga organet hetuese. Rastin e udhëheq Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, ndërsa MPB-ja konfirmoi se është ndaluar një person me inicialet F.S,

Bëhet fjalë për një hetim që lidhet me ryshfet, por nga prokuroria kanë paralajmëruar se detajet do t’i bëjnë publike në vijim.

Stafa aktualisht është avokat. Ai është pjesë e mbrojtjes së një të akuzuari në rastin e tragjedisë në “Puls” në Koçan dhe ka komunikuar me gazetarët edhe si avokat i të arratisurit dhe të dyshuarit Lupço Pecov.

Ai e ka ushtruar funksionin e avokatit të shtetit nga gushti i vitit 2018 deri në gusht të vitit 2022, kur u shkarkua. Gjatë asaj periudhe, ai paraqiti kallëzim penal kundër drejtorit të Policisë Financiare dhe prokurorit publik të Shkupit lidhur me rastin “Trust” dhe konfiskimin e pasuksesshëm të pasurisë së sekuestruar të Sead Koçanit. U hetua gjithashtu edhe sjellja pasive e Avokaturës së Shtetit në mbrojtjen e pasurisë shtetërore të fituar me konfiskim.

Në opinionin publik ai u lidh edhe me rastin e dërgimit si konsull të Besmira Ejupit që nuk u realiza dhe e cila ishte e angazhuar me honorar në Avokaturën e Shtetit.

Pas largimit nga funksioni, ai ushtroi profesionin e avokatit dhe aplikoi për disa pozita në sistemin shtetëror. Së fundmi ishte kandidat për anëtar të Këshillit Gjyqësor.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com