Pamje nga spitali, ku po trajtohet burri që me guxim të jashtëzakonshëm arriti të çarmatosë një nga personat e armatosur gjatë sulmit, Ahmed al Ahmed, tashmë janë publikuar.

Chris Minns, kryeministër Neë South Wales në Australi, ka shkruar se “Ahmed është një hero i vërtetë”, raporton BBC.

“Mbrëmë, guximi i tij i jashtëzakonshëm, duke vënë jetën e tij në rrezik, pa dyshim shpëtoi shumë jetë kur ai çarmatosi një terrorist.”

Ai theksoi se ishte një nder i veçantë ta takonte personalisht Ahmedin dhe t’i përcillte atij falënderimet e qytetarëve.

“S’ka asnjë dyshim se, po të mos ishte për guximin e tij vetëmohues, do të ishin humbur shumë më tepër jetë”.

Familja e tij, në një deklaratë për BBC News Arabic, tha se ai veproi i shtyrë nga “ndërgjegjja e pastër dhe humanizmi”.

Babai i tij, Mohamed Fateh al Ahmed, thotë se i biri nuk hezitoi aspak kur pa njerëzit duke u sulmuar.

“Ahmed u udhëhoq nga ndjenjat, ndërgjegjja dhe humanizmi i tij kur vrapoi përpara, ndaloi sulmuesin dhe i rrëmbeu armën,” tha ai.

Sipas tij, Ahmed ndodhej aty rastësisht, pasi kishte dalë për kafe me një mik, kur u përball me skenën e sulmit.

Ata bënë të ditur se gjendja shëndetësore e Ahmed al Ahmed është stabile, ndërsa ai po pret trajtim të mëtejshëm mjekësor për plagët nga armë zjarri në shpatull dhe në dorë.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume