Edhe pse vetoja hungareze për Ukrainën e bllokoi miratimin zyrtar të përfundimeve për zgjerimin, Danimarka, si kryesuese aktuale e Unionit, nuk lejoi që mesazhet për Shkupin të mbeteshin në sirtar. Nën etiketën “Përfundimet e Presidencës Daneze”, nga Brukseli u dërgua një sinjal i qartë mbështetjeje, por edhe një kujtesë e rreptë për detyrat e brendshme që mbeten themeli i rrugës evropiane të Maqedonisë së Veriut.

Mesazhi nga kryeqytetet evropiane është i qartë dhe pa ekuivoke: konferenca e dytë ndërqeveritare dhe hapja e “Klasterit Themelor” janë vetëm një hap larg – ndryshimi i Kushtetutës. Këshilli i BE-së konfirmoi se është i gatshëm për vazhdimin e menjëhershëm të negociatave, pa vendime shtesë politike, sapo Maqedonia ta përmbushë obligimin e marrë.

BE-ja e përshëndet faktin që integrimi evropian mbetet prioritet strategjik, por kërkon “veprime të shpejta dhe vendimtare”. Në fokus të kritikave janë:

Sundimi i ligjit: Kërkohet vullnet i fortë për mbrojtjen e pavarësisë së gjyqësorit.

Kodi Penal: Brukseli insiston në një ligj të ri të harmonizuar me standardet evropiane.

Administrata: Kërkohet modernizim urgjent dhe rritje e kapaciteteve.

Ndërsa reformat e brendshme ecin me ritëm të ngadalësuar, Maqedonia e Veriut merr vlerësim maksimal për orientimin e saj gjeopolitik. Këshilli e lavdëroi fuqishëm vendin për harmonizimin e plotë me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së, përfshirë masat kufizuese, gjë që interpretohet si sinjal i qartë për pozicionimin strategjik të shtetit.

Brukseli nuk i harron marrëveshjet. Kujtesa për “zbatimin me mirëbesim” të marrëveshjeve me Greqinë dhe Bullgarinë mbetet konstante në çdo dokument. Megjithatë, në planin ekonomik ka lajme pozitive: përparimi i Korridorit hekurudhor 8 vlerësohet si sukses strategjik, ndërsa pagesat e para nga Mekanizmi për Reforma dhe Rritje tashmë po sjellin përfitime konkrete për qytetarët.

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume