Izraeli ka siguruar një nga fitoret më të mëdha strategjike në industrinë e tij të mbrojtjes, pasi kompania Elbit Systems ka nënshkruar një marrëveshje historike me Emiratet e Bashkuara Arabe, me vlerë rreth 2.3 miliardë dollarë.
Lajmi u zbulua fillimisht nga faqja franceze Intelligence Online, e cila raportoi se EBA është pala që qëndron pas marrëveshjes masive dhe të fshehtë të nënshkruar rreth një muaj më parë.
Disa ditë më vonë, e përditshmja ekonomike izraelite Calcalist konfirmoi se bëhet fjalë për një kontratë të jashtëzakonshme që përfshin shitjen e një “sistemi strategjik sigurie” të bazuar në teknologji unike dhe pioniere.
Sipas raportimeve, kjo është marrëveshja më e madhe në historinë e Elbit Systems dhe e dyta më e madhe në historinë e industrisë ushtarake izraelite, duke u nënshkruar nën autorizimin dhe mbikëqyrjen e drejtpërdrejtë të Ministrisë së Mbrojtjes së Izraelit.
Kontrata parashikon një bashkëpunim afatgjatë, me një kohëzgjatje prej rreth 10 vitesh.
Detajet konkrete të sistemit të sigurisë që përfshihet në marrëveshje nuk janë bërë publike, pasi pala blerëse ka vendosur si kusht moszbulimin e plotë të informacionit teknik.