Me rastin e shënimit të 31-vjetorit të themelimit të Universitetit të Tetovës, Sindikata e punonjësve (UT), e njofton opinionin dhe punonjësit se nënshkrimi i Marrëveshjes Kolektive përbën një arritje të rëndësishme institucionale në këtë ditë të veçantë për UT-në.
Kjo marrëveshje përfaqëson rezultat të dialogut social dhe të angazhimit të vazhdueshëm për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të punonjësve akademikë dhe administrativë. Ajo garanton përmirësimin e kushteve të punës, forcimin e sigurisë juridike dhe afirmimin e dinjitetit të punës në Universitetin e Tetovës.
Nënshkrimi i Marrëveshjes Kolektive në këtë përvjetor të rëndësishëm simbolizon respektin institucional ndaj kontributit shumëvjeçar të punonjësve dhe vlerësimin e rolit të tyre kyç në ndërtimin dhe zhvillimin e Universitetit të Tetovës.
Sindikata e konsideron këtë akt si një hap të rëndësishëm drejt stabilitetit institucional, motivimit profesional dhe avancimit të mëtejshëm të standardeve akademike e sociale.
Me këtë rast, shprehim mirënjohje për të gjithë punonjësit dhe i urojmë Universitetit të Tetovës suksese të reja dhe zhvillim të qëndrueshëm.
Një falënderim i veçantë edhe për kryetarin e Parlamentit të RMV-së, z. Afrim Gashi, i cili që nga takimi i parë ka pasur qëndrim pozitiv për nënshkrimin e Marrëveshjes Kolektive dhe ka qenë bashkëpunues gjatë tërë procesit.

Me respekt,
Prof. Dr. Shefket Dehari

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume