Në Kongresin e pestë të Bashkimit Demokratik për Integrim që po mbahet sot në Shkup, kryetari i partisë, Ali Ahmeti, shpalli fillimin e një faze të re politike për BDI-në, duke e përshkruar atë si më të hapur, më moderne dhe më të përgjegjshme, raporton TS.

Ahmeti bëri thirrje të gjithë të rinjve, grave, profesionistëve dhe diasporës që të angazhohen aktivisht në procesin shtetformues, duke nënvizuar se e ardhmja nuk ndërtohet me zhurmë, por me vizion dhe përgjegjësi.

“Jo me ndasi, por me barazi. Jo me eksperimente, por me përgjegjësi shtetërore. BDI do të vazhdojë të jetë forca e unitetit, stabilitetit dhe integrimit europian,” tha Ahmeti, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të të gjithëve për të ndërtuar një të ardhme përparimtare për Maqedoninë e Veriut.

Ai nënvizoi se e ardhmja nuk pret dhe se është përgjegjësi e përbashkët e qytetarëve dhe institucioneve të ndërtojnë një shoqëri të fortë dhe europiane. “Bashkë, me urti, unitet dhe vendosmëri, do ta ndërtojmë ardhmërinë tonë përparimtare europiane,” përfundoi Ahmeti.

Kongresi i BDI-së po shihet si një moment kyç për vendosjen e një drejtimi të ri politik dhe për përfshirjen aktive të të gjithë komponentëve të shoqërisë në procesin e vendimmarrjes dhe zhvillimit të vendit./TS

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com