Në seancën e Këshillit të Prokurorëve Publikë sot pritet të emërohet ushtruesi i detyrës Prokuror Publik i Shtetit, në vend të Ljupço Kocevskit, i cili ka dhënë dorëheqje.
Kjo seancë fillimisht ishte caktuar për më 19 dhjetor, por u shty për shkak të mungesës së një anëtari.
Për këtë arsye, anëtari i Këshillit, prokurori Ermon Neziri, propozoi që të shtyhet zgjedhja e ushtruesit të detyrës Prokuror Publik i Republikës së Maqedonisë së Veriut, pasi – siç u shpreh ai – bëhet fjalë për një çështje me rëndësi të madhe dhe zgjedhja duhet të bëhet me përbërje të plotë të Këshillit. Me këtë propozim të Nezirit u pajtuan të gjithë anëtarët e Këshillit të Prokurorëve Publikë.
Ushtruesi i detyrës Prokuror Publik i Republikës së Maqedonisë së Veriut emërohet në përputhje me nenin 25, paragrafi 4 i Ligjit për Prokurorinë Publike dhe zgjidhet nga radhët e prokurorëve publikë në Prokurorinë Publike të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Detyrën do ta ushtrojë deri në emërimin e prokurorit të ri shtetëror, por jo më gjatë se gjashtë muaj.
Prokurorë publikë në Prokurorinë Publike të RMV-së janë: Anita Topollova Isajllovska, Ismail Darlišta, Sonja Simovska, Ferat Elezi, Xhelal Bajrami, Elvin Veli, Lile Stefanova, Naum Panoski, Valentina Stojanovska dhe Zlatko Bikovski.
Ljupço Kocevski, javën e kaluar më 17 dhjetor, në të njëjtën ditë kur Kuvendi duhej të debatonte për propozimin e Qeverisë për shkarkimin e tij, në një konferencë për shtyp njoftoi se kishte dorëzuar dorëheqje të parevokueshme nga funksioni.