Në Qeveri sot u nënshkruan marrëveshje, një ngjarje që ka rëndësi dhe shkon shumë përtej aktit formal të nënshkrimit të marrëveshjeve. Në fakt, sot miratuam vendime që e formësojnë ardhmërinë e shtetit, forcojnë stabilitetin e tij dhe e përcaktojnë vizionin tonë për zhvillim ekonomik, siguri dhe sovranitet.
Me nënshkrimin e marrëveshjes për realizimin e centralit fotovoltaik “Manastir 3” dhe për revitalizimin e hidrocentraleve – Faza 3, dërgojmë një mesazh të qartë dhe të padiskutueshëm: energjetika është një nga prioritetet kryesore kombëtare dhe investim me interes strategjik të lartë. Bëhet fjalë për një investim total prej 97 milionë eurosh, prej këto, 50 milionë euro nga KfW janë për centralin fotovoltaik Manastir 3, 10 për revitalizimin e hidrocentraleve, ndërsa 37 milionë nga BERZH-i janë gjithashtu për CF Manastir 3. Me këto projekte, investimet në sektorin energjetik i afrohen vlerës prej 100 milionë eurosh.
Në botën bashkëkohore, energjetika është çështje me rëndësi thelbësore për sigurinë kombëtare, konkurrueshmërinë ekonomike dhe stabilitetin social. Sistemi energjetik i sigurt, i qëndrueshëm dhe vendor është parakusht për përballimin e sfidave ekonomike dhe gjeopolitike, si dhe për zhvillim afatgjatë. Prandaj, përcaktimi ynë është i qartë: investim sistematik, i vazhdueshëm dhe i përgjegjshëm në kapacitetet energjetike, me qëllim forcimin e pavarësisë energjetike dhe sigurimin e stabilitetit afatgjatë për qytetarët dhe ekonominë.
Centrali fotovoltaik “Manastir 3” është simbol i këtij përcaktimi. Ai paraqet një hap drejt energjetikës moderne, të pastër dhe të qëndrueshme, e cila shfrytëzon fuqinë e natyrës në shërbim të interesit publik. Me investime të tilla, e zvogëlojmë varësinë nga importi i energjisë elektrike, e stabilizojmë bilancin energjetik dhe krijojmë kushte për kosto të parashikueshme dhe më të ulëta në afat të gjatë.
Njëkohësisht, përmes revitalizimit të hidrocentraleve – Faza 3, tregojmë se dimë të menaxhojmë mirë edhe me resurset ekzistuese. Në vend që t’i lëmë kapacitetet të vjetrohen, investojmë në modernizimin e tyre, rritjen e efikasitetit dhe zgjatjen e jetëgjatësisë së funksionimit. Kjo është një qasje e cila sjell levërdi më të madhe për shtetin dhe për qytetarët.
Këto investime kanë edhe efekt të rëndësishëm ekonomik, përmes hapjes së vendeve të reja të punës, angazhimit të industrisë vendore, zhvillimit të komuniteteve lokale dhe rritjes së konkurrueshmërisë së ekonomisë kombëtare. Sistemi energjetik i qëndrueshëm është bazë për një ekonomi të qëndrueshme dhe standard më të mirë jetese për qytetarët.
Qeveria shpreh mirënjohje ndaj Ministrisë së Financave dhe SHA EMV për profesionalizmin e tyre, ekspertizën dhe përkushtimin e tyre në zbatimin e këtyre investimeve strategjike. Mirënjohje e veçantë, si Qeveri, u drejtojmë partnerëve tanë ndërkombëtarë – Bankës KfW dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim – për mbështetjen dhe besimin në politikat reformuese dhe vizionin e njohur, si dhe për faktin që politikat tona janë kredibile, të qëndrueshme dhe të orientuara drejt ardhmërisë. Ky partneritet është një shembull se si shteti dhe komuniteti ndërkombëtar mund të ndërtojnë së bashku projekte me rëndësi strategjike.
Ky qëllim i Qeverisë nuk është një efekt afatshkurtër, por një transformim afatgjatë. Ndërtojmë një sistem energjetik i cili do të jetë rezistent ndaj krizave, fleksibël ndaj sfidave të ardhshme dhe i harmonizuar me standardet evropiane. Njëkohësisht, një sistem që do të sigurojë stabilitet energjetik sot, por edhe për brezat që vijnë.
Prandaj, sot nuk flasim vetëm për megavatë dhe infrastrukturë. Sot flasim për sovranitet, përgjegjësi dhe vizion. Për një shtet që me vetëbesim e ndërton të ardhmen e tij.