Në Maqedoni po punohet intensivisht për ndërtimin e një kafilerie dhe krijimin e varrezave për kafshët shtëpiake. Drejtori i Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari (AUV), Oliver Millanov tha se deri në mes të vitit 2026 pritet të vendosen lokacionet dhe infrastruktura, pas së cilës do të nisë realizimi praktik.
“Unë do të doja që kjo të ndodhte menjëherë. Pres që deri në verë të vendosen themelet dhe të fillojë puna, si me kafilerinë, ashtu edhe me varrezat për kafshët shtëpiake”, tha Milanov.
Ai theksoi se shumica e kafshëve shtëpiake deri më tani janë lënë në deponi të zakonshme dhe se çdo komunë do të inkurajohet të ketë strehimore dhe varreza për kafshët.
Sa i përket kafilerisë, Milanov sqaroi se tashmë do të shkohet drejt partneritetit publik-privat dhe ekziston edhe mundësia e kafilerive mobile.
Milanov informoi se është përgatitur edhe ligji për mbrojtjen shëndetësore të kafshëve, duke përfshirë qentë endacakë.
“Qentë endacakë janë një problem i madh. Në Maqedoni ka mbi 8,000. Duhet ta zgjidhim këtë. Do të parashikohen gjoba për pronësi të papërgjegjshme dhe do të ketë tryeza informative me qytetarët dhe inspektorët”, shtoi ai.
Shënim
*Kafileri është një objekt ku përpunohen trupat e kafshëve të ngordhura në mënyrë higjienike dhe të sigurt. Qëllimi kryesor i kafilerisë është shkatërrimi i trupave të kafshëve për të parandaluar përhapjen e sëmundjeve dhe ndotjen e mjedisit