Në punëtorinë dy ditore në Shkup, udhëheqësitë, nxënësit dhe mësimdhënësit nga qendrat rajonale për arsim profesional dhe trajnim do të mësojnë si të përgatitin plane biznesi për themelimin e kompanive shkollore reale, nën mentorimin e profesorëve dhe studentëve nga Fakulteti Ekonomik i Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi”. Përfitimet që do të sigurohen janë të shumta, ndërsa më e rëndësishmja është se do të rriten mundësitë praktike për nxënësit, dhe shkollat do të fitojnë të ardhura shtesë.

Këtë e theksoi Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Prof.Dr.Vesna Janevska, në fillim të punëtorisë që po mbahet në Fakultetin Ekonomik, duke theksuar se pret që shumë shpejt të hapen edhe kompanitë e para shkollore reale në kuadër të këtyre institucioneve arsimore.

“Kompanitë shkollore reale kontribuojnë në zhvillimin e aftësive sipërmarrëse dhe afariste tek nxënësit, që do të thotë përgatitje më të mirë për përfshirje në ekonomi. Gjithashtu, ushtrimi i aktiviteteve komerciale shtesë nga shkollat u sjell të ardhura, të cilat mund të ndihmojnë në sigurimin e zhvillimit të qëndrueshëm dhe avancimin e vazhdueshëm të cilësisë së procesit edukativo-arsimor ”, theksoi Janevska


Ministrja informoi se për momentin ekzistojnë shtatë qendra rajonale për arsim profesional dhe trajnim, ndërsa vitin e ardhshëm duhet të formohet edhe qendra e tetë, e fundit. Në qendrat deri më tani nuk janë themeluar kompani reale shkollore. Ministrja shprehu mirënjohje ndaj Fakultetit Ekonomik, por edhe ndaj Ambasadës së Zvicrës për mbështetjen e kësaj iniciative, si dhe ndaj udhëheqësive dhe të punësuarve në qendrat rajonale për interesimin për ta zgjeruar veprimtarinë e institucioneve arsimore në përputhje me Ligjin për Arsimin Profesional dhe Trajnimin.

Në hapjen e punëtorisë fjalim mbajtën edhe dekani i fakultetit, Prof.Dr. Mijallçe Santa, si dhe profesorë Aleksandra Janeska Iliev dhe Stojan Debarliev.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com