Ne jemi një kandidat teknikisht i përgatitur, por politikisht i bllokuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian, tha presidentja Gordana Siljanovska Davkova në fjalimin e saj vjetor në Kuvend, duke folur për integrimet evropiane.

Presidentja tha se integrimi evropian i Maqedonisë është një “shembull shkollor i neglizhencës së demokracisë” dhe se vullneti politik është i nevojshëm jo vetëm nga ana jonë, por edhe nga Bashkimi Evropian

“Nëse ndryshimet kushtetuese do të kishin qenë arsyeja, ne do të ishim bërë prej kohësh anëtare e BE-së”, tha Davkova, duke shtuar se pothuajse e gjithë agjenda e saj e politikës së jashtme gjatë periudhës së kaluar i është kushtuar integrimeve evropiane.
Ajo theksoi se standardet e dyfishta krijojnë paqëndrueshmëri dhe se qytetarët e vendit mbështesin anëtarësimin në BE, por janë të zhgënjyer nga vonesat.


“Si mundet BE-ja të pretendojë se është një union gjeopolitik, ndërkohë që e mban vendin tonë dhe Ballkanin Perëndimor në një vakuum politik?”, tha Davkova.

Presidentja tha se nevojiten garanci nga BE dhe Bullgaria për eurointegrimet e vendit.

“Nëse ka zgjidhje për Ukrainën dhe Moldavinë, lehtë do të gjendet edhe për ne. Pa garanci të qarta nga BE-ja dhe Bullgaria dhe pa mekanizma mbrojtës, me edhe një ndryshim tjetër rrezikojmë të dalim nga ky proces ashtu si plaku i Heminguejit doli nga deti – vetëm me kockat e peshkut! Me një identitet të zhveshur. Konsensusi kombëtar na nevojitet më shumë se kurrë më parë”, tha Davkova.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com