Shërbimi jo cilësor, ndryshimet në kushtet e kontratave të abonimit, faturat e larta dhe prishja e kontratave me pagesë penalitetesh mbeten arsyet më të shpeshta për të cilat qytetarët i janë drejtuar Agjencisë për Komunikime Elektronike (AKE) për ndërmjetësim në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.
Gjatë këtij viti, AKE ka pranuar gjithsej 346 kërkesa për zgjidhje kontestesh, krahasuar me 363 raste të regjistruara në vitin 2024. Nga vendimet e marra, 45 janë miratuar, 14 janë miratuar pjesërisht, 40 raste janë mbyllur me veprim të ndërmjetëm nga operatorët, ndërsa 109 kërkesa janë refuzuar. Pjesa tjetër e kërkesave ka qenë e paplotë, e dorëzuar sërish, jashtë kompetencave të Agjencisë ose është hedhur poshtë. Nga AKE theksojnë se qytetarët po i shfrytëzojnë gjithnjë e më shumë mekanizmat mbrojtës që ofron ky institucion.
Sa i përket zhvillimeve në treg, AKE vlerëson se viti 2025 ka qenë pozitiv për sektorin e komunikimeve elektronike, me të gjithë parametrat tremujorë që tregojnë trend rritës. Inovacionet kryesore që priten në vitin 2026 përfshijnë hyrjen e operatorit të tretë të rrjetit në telefoninë mobile, vënien në funksion të kullës telekomunikuese në Vodno dhe futjen e teknologjisë T-DAB.
Aktualisht, operatorët në vend ofrojnë shpejtësi mesatare të internetit 5G prej rreth 340 Mbps në qytete dhe rreth 120 Mbps në rrugë, duke tejkaluar objektivin minimal prej 100 Mbps të paraparë për vitin 2029. Sipas AKE-së, këto rezultate e pozicionojnë Maqedoninë ndër 5–10 vendet e para në Evropë për nga cilësia e rrjeteve mobile.
Procesi për futjen e operatorit të tretë të rrjetit ka nisur në vitin 2025, ndërsa fillimi zyrtar i punës pritet në fillim të vitit 2026. Me kërkesë të ofertuesit të vetëm, “One Macedonia Telekomunikacii” nga kompania hungareze “4iG”, AKE i ka zgjatur afatet e tenderit për 96 ditë. Afati për përzgjedhjen e ofertuesit më të volitshëm është 12 janari 2026, ndërsa licenca për shfrytëzimin e radiofrekuencave pritet të jepet deri më 25 shkurt 2026.
Në tregun vendor aktualisht operojnë “Makedonski Telekom AD Shkup” dhe “A1 Maqedonia DOOEL Shkup”, si dhe operatorët virtualë Lycamobile, MTEL, ROBI dhe Green Telecommunications.
Muajin e ardhshëm pritet të vihet në funksion edhe kulla telekomunikuese në Vodno, një investim kapital i nisur në vitin 2013. Kulla do të shërbejë për përmirësimin e kompatibilitetit elektromagnetik dhe rritjen e sigurisë në shërbimet e radionavigacionit ajror dhe mobil, duke shmangur interferencat në komunikimet radiokomunikuese.