Krenar Lloga ka reaguar ndaj narrativës së fundit mediatike lidhur me rritjen e kërkesave për shtetësi dhe interpretimin e tyre si pasojë e standardit të jetesës në Turqi, duke e cilësuar këtë qasje si të njëanshme dhe devijuese nga e vërteta historike dhe juridike informon Tetovasot.
Sipas Llogës, rritja e numrit të kërkesave për shtetësi nuk është fenomen ekonomik, por pasojë direkte e ndryshimeve ligjore të vitit 2021, të cilat korrigjuan padrejtësi të trashëguara që nga periudha jugosllave dhe tranzicioni i pasvitit 1991. Këto ndryshime, siç thekson ai, mundësuan zgjidhjen e statusit juridik të qindra qytetarëve që për dekada kishin mbetur pa shtetësi ose me status të paqartë për arsye politike dhe burokratike.
Lloga rikujton se një pjesë e këtij problemi buron nga politikat e shpërnguljes së periudhës jugosllave, veçanërisht pas vitit 1951, kur shqiptarë myslimanë nga Kosova, Maqedonia dhe Sanxhaku u regjistruan administrativisht si “turq”, u detyruan të deklaronin gjuhën turke si gjuhë amtare dhe u shtynë drejt emigrimit përmes presioneve institucionale raporton Tetovasot.
Sipas tij, kjo nuk ishte zgjedhje identitare, por mekanizëm shtetëror për inxhinieri demografike. Megjithatë, edhe pas pavarësimit të Maqedonisë, këta qytetarë vazhduan të trajtoheshin si “jo-autoktonë”, përmes dispozitave ligjore që i referoheshin kthimit në të ashtuquajturën “vend amë”.
“Me ndryshimet ligjore të vitit 2021 u hoqën dispozita diskriminuese që mohonin faktin se këta njerëz kishin lindur, jetuar dhe varrosur familjarët e tyre për breza të tërë në këtë vend”, thekson Lloga, duke shtuar se shteti pranoi më në fund se bëhej fjalë për qytetarë të përjashtuar sistematikisht nga shtetësia.
Ai vlerëson se përpjekjet për ta paraqitur këtë proces si valë migrimi ekonomik janë politikisht të motivuara dhe fshehin thelbin e çështjes.
“Këta numra nuk flasin për oportunizëm, por për rikthim të një të drejte natyrore, të mohuar padrejtësisht dhe të rikthyer me vonesë”, përfundon Lloga.
Postimi i plote: