“Bëj gjëra të kota dhe do të shohësh çfarë të ndodh” është një shprehje që analistët e politikës ndërkombëtare po e përmendin gjithnjë e më shpesh për të përshkruar qasjen e Shteteve të Bashkuara në arenën globale, veçanërisht pas raportimeve që lidhen me një operacion të fshehtë të koduar “Absolute Resolve”, i cili sipas disa mediave amerikane kishte për qëllim arrestimin e presidentit venezuelian Nicolás Maduro dhe bashkëshortes së tij nga një bazë ushtarake në Karakas.

Sipas raportimeve të publikuara nga Newsweek dhe media të tjera, operacioni dyshohet se ishte një ndërhyrje e shpejtë dhe shumë e sofistikuar, e mbështetur në teknologji të avancuar ushtarake dhe inteligjencë afatgjatë.

Në qendër të këtij operacioni të përfolur qëndronte përdorimi i të paktën një droni RQ-170 Sentinel të Forcave Ajrore Amerikane, një mjet fluturues pa pilot i njohur ndryshe si Fantazma ose Bisha e Kandaharit, i projektuar për misione të fshehta zbulimi në thellësi të territorit armik.

Ky dron, sipas raportimeve, kishte për detyrë të siguronte mbikëqyrjen ajrore dhe të krijonte kushtet e nevojshme për ndërhyrjen e njësive elitare të Delta Force.

Pamje të shpërndara në internet, të cilat nuk janë konfirmuar zyrtarisht nga autoritetet amerikane, tregojnë një avion RQ-170 Sentinel që ulet në orët e para të mëngjesit në një bazë ushtarake në Porto Riko, vetëm pak orë pas bastisjes së raportuar të 3 janarit.

Sipas burimeve mediatike, të paktën një dron i këtij tipi ishte përfshirë në operacionin e natës që synonte kapjen e presidentit venezuelian dhe gruas së tij, një veprim që do të përbënte një përshkallëzim ekstrem në marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Karakasit, duke qenë se Shtetet e Bashkuara prej vitesh kanë deklaruar se nuk e njohin Maduron si udhëheqës legjitim të Venezuelës.

Edhe pse dronët RQ-170 besohet se kanë qenë në përdorim për rreth dy dekada, ekzistenca e tyre u pranua publikisht nga Forcat Ajrore Amerikane vetëm në dhjetor të vitit 2009, kur ata u përdorën për mbështetjen e misioneve në Afganistan.

S*lmi në Venezuelë, ambasada amerikane në Tiranë: Do sigurohemi që njerëzit të jenë nën kujdes…
Që nga ajo kohë, ky mjet është konsideruar një nga asetet më sekrete të arsenaleve ajrore amerikane.

Sipas burimeve anonime qeveritare të cituara nga New York Times, CIA dyshohet se i kishte vendosur këta dronë mbi hapësirën ajrore të Venezuelës për muaj të tërë pa u zbuluar nga sistemet e mbrojtjes ajrore të vendit, duke i përdorur për të monitoruar lëvizjet e përditshme të Nicolás Maduro dhe për të ndërtuar një pamje të detajuar të rutinës së tij përpara ndërhyrjes së supozuar.

Edhe pse rrugët e sakta të fluturimit nuk janë bërë publike për shkak të natyrës së tyre tepër sekrete, vëmendja ishte përqendruar kryesisht mbi Karakas dhe zonat përreth tij.

Vendndodhja e saktë ku droni shihet duke u ulur në pamjet e publikuara nuk është konfirmuar, por analistët besojnë se bëhet fjalë për Stacionin Ajror Detar Roosevelt Roads në Porto Riko, një bazë e mbyllur që nga viti 2004 por që ende mund të përdoret për operacione speciale.

Imazhet tregojnë gjithashtu personel ushtarak me emblema njësish, çka ka ushqyer spekulimet se RQ-170 Sentinel mund të ketë qenë aktiv në Amerikën Latine që prej dhjetorit.

Sipas analistëve ushtarakë, roli kryesor i këtij droni në operacionin e përfolur do të kishte qenë mbikëqyrja e fshehtë afatgjatë e kompleksit ku qëndronte Maduro, një taktikë e krahasuar drejtpërdrejt me javët e mbledhjes së heshtur të inteligjencës që i paraprinë operacionit të vitit 2011 kundër Osama bin Ladenit, ku forcat amerikane u fokusuan në vëzhgimin e vazhdueshëm të një objektivi të vetëm me vlerë të lartë.

Pamjet e publikuara në rrjet tregojnë gjithashtu drita që ndizen në pjesën e pasme të trupit të avionit dhe zhurmën karakteristike të motorëve reaktivë ndërsa droni fluturonte mbi territorin amerikan.

Sipas deklarimeve të bëra në një konferencë shtypi pas arrestimit të raportuar të Maduros, në operacion dyshohet se morën pjesë mbi 150 avionë të tipeve të ndryshme, duke e bërë atë një nga ndërhyrjet më të mëdha ajrore të përfolura në Amerikën Latine në dekadat e fundit.

Ekspertët theksojnë se RQ-170 Sentinel është projektuar pikërisht për këto lloj misionesh, duke ofruar mbikëqyrje të vazhdueshme të objektivave me vlerë të lartë brenda territorit armiqësor dhe duke mbështetur njësitë e operacioneve speciale si Delta Force.

Sipas The War Zone, numri i këtyre dronëve në shërbim mendohet të jetë vetëm 20 deri në 30 njësi, të operuara kryesisht nga baza ajrore Creech në Nevada, e cila ndodhet më pak se 100 milje larg Zonës 51, e njohur për testimin e teknologjive sekrete ajrore.

Droni besohet të jetë i pajisur me sensorë të avancuar për hartëzimin dhe gjurmimin e objektivave në lëvizje, kamera infra të kuqe për operacione natën dhe sisteme të sofistikuara për përgjimin e komunikimeve.

Paralelisht me këtë, ekspertët e teknologjisë ushtarake vlerësojnë se një rol të rëndësishëm në operacion kanë pasur edhe njësitë amerikane të luftës kibernetike, të cilat dyshohet se kanë shkaktuar një errësirë të përkohshme në zonën e synuar në momentet e para të bastisjes.

Një pjesë e këtij operacioni thuhet se ka përfshirë ndërprerjen e energjisë elektrike rreth kompleksit Fuerte Tiuna, baza më e madhe ushtarake e Venezuelës në Karakas, ndërsa objektet civile si spitalet janë kursyer nga ndërprerja falë hartëzimit paraprak dixhital të rrjetit energjetik.

Sipas ekspertëve, agjencitë amerikane kishin përgatitur prej vitesh skenarë të tillë për ndërhyrje në Venezuelë dhe vende të tjera të konsideruara armiqësore.

Kjo qasje u përforcua edhe nga deklarata e shefit të Forcave Ajrore të SHBA-së, gjeneralit Dan Kane, i cili ka thënë se ndërsa forcat amerikane iu afruan Karakasit, nisi çmontimi dhe çaktivizimi i sistemeve të mbrojtjes ajrore të Venezuelës, me qëllim sigurimin e kalimit të sigurt të helikopterëve drejt zonës së synuar.

Mgid
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com