Megjithëse Franca dhe Britania e Madhe i kanë ofruar Ukrainës angazhim me shkrim për të dërguar trupa nëse arrihet një marrëveshje paqeje, mbeten dyshime nëse SHBA do t’i mbështesin ato trupa po të sulmohen nga Rusia.
Ndërsa aleatët evropianë u mblodhën në Paris për të konsoliduar garancitë e sigurisë për Ukrainën, prania e emisarëve të paqes të Trumpit ofroi shpresë se BE mund të dëgjohej ende në Uashington, pavarësisht polemikës së ashpër mbi kërcënimet e Uashingtonit për të aneksuar Groenlandën. “Ne kemi finalizuar në masë të madhe protokollet e sigurisë,” tha Steve Witkoff, një nga dy emisarët, ndërsa qëndronte krah udhëheqësve të Francës, Gjermanisë, Britanisë së Madhe dhe Ukrainës në pallatin presidencial francez në Paris.
“Kjo është e rëndësishme që kur kjo luftë të përfundojë, të përfundojë përgjithmonë,” shtoi ai. Megjithatë, edhe pse Franca dhe Britania e Madhe nënshkruan vendimin e tyre për të dërguar trupa në Ukrainë në një skenar pas luftës, SHBA nuk ofruan të shpëtonin këto trupa në rast se Rusia do të kërcënonte sigurinë e tyre.
Ç’pamje mund të ketë ky stacionim?
Këtë javë, Franca, Britania e Madhe dhe Ukraina nënshkruan një deklaratë qëllimi në lidhje me vendosjen e asaj që ata e përshkruan si një forcë shumëkombëshe në mbështetje të mbrojtjes, rindërtimit dhe qëndrueshmërisë strategjike të Ukrainës.
Ekspertët thanë se, meqë deklarata ishte një dokument i shkruar dhe i nënshkruar, ajo përbënte një garanci më të fortë dhe më formale për Ukrainën. Të martën, kancelari gjerman Friedrich Merz njoftoi se Gjermania mund të luajë gjithashtu një rol ushtarak dhe të dislokojë “forca në territorin e NATO-s që kufizohet me Ukrainën” sapo të arrihet një armëpushim.
Për herë të parë, Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez gjithashtu shprehu gatishmërinë për të dërguar trupa si pjesë e një misioni paqeruajtës në Ukrainë, megjithëse shkalla e kontributit mbetet e paqartë.
Jacob Funk Kirkegaard, bashkëpunëtor i lartë në qendrën kërkimore Bruegel, me bazë në Bruksel, tha se forca dykombëshe përshkruhet me qëllim si shumëkombëshe për t’i lejuar vende të tjera evropiane, por edhe vende jo evropiane, të bashkohen me të.
“Kush mund të jenë ata? Mendoj ndoshta Australia, ose sigurisht Turqia, e cila është një lojtar i rëndësishëm në Detin e Zi,” i tha ai DW.
Takimi i Parisit u mbajt në kuadër të koalicionit të të vullnetshmëve, i cili përbëhet nga rreth 30 vende, përveç SHBA, që ka vendosur të ndihmojë Ukrainën dhe t’i ofrojë një lloj garancie sigurie.
Në një deklaratë, grupi tha se do të ndihmonte në ndërtimin e “fortifikatave mbrojtëse” brenda Ukrainës, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Kirkegaard tha se, megjithëse nuk është e qartë saktësisht se çfarë lloj fortifikimesh do të jenë këto, ato mund të jenë të ngjashme me ato që po ndërtohen në shtetet anëtare të NATO-s pranë Rusisë. “Si në Finlandë,” tha ai, mund të përfshijë, të paktën, “vendosjen e më shumë minave dhe telave me gjemba.”
Deklarata e udhëheqësve të koalicionit gjithashtu thotë se ata do të marrin pjesë në një mekanizëm monitorimi dhe verifikimi të armëpushimit të propozuar nga Shtetet e Bashkuara, për të vëzhguar shkelje ruse të një paqeje të ardhshme. Kjo do të përfshinte sigurimin dhe operimin e pajisjeve të nevojshme për të vëzhguar aktivitetin përgjatë vijës së kontaktit, si dronë, sensorë dhe satelitë.
Deklarata shton se ukrainasit “do të mbeten linja e parë e mbrojtjes dhe e frenimit”, ndërsa ekspertët i thanë DW-së se trupat evropiane do të jenë të pranishme kryesisht si trajnerë dhe jo në role luftarake.
Shumë pyetje pa përgjigje rreth stacionimit të trupave evropiane
Disa në Evropë po bëjnë presion për krijimin e një arkitekture sigurie afatgjatë për Ukrainën. Por edhe në këtë fazë, ka më shumë pyetje se përgjigje, pasi detajet mbeten të paqarta.
Presidenti francez Emmanuel Macron tha se Franca mund të dislokojë “disa mijëra” ushtarë në territorin ukrainas. Por ai mund të ketë vështirësi ta bëjë Parlamentin francez të miratojë financimin e nevojshëm për të mbajtur trupat jashtë vendit, veçanërisht në mes të krizës politike dhe ekonomike që po kalon vendi, shtoi Kirkegaard.
Nënshkrimi i deklaratës nga Keir Starmer ka nxitur zemërimin e liderëve të opozitës ndërsa ekspertët, thonë se Britania nuk ka mjaftueshëm ushtarë për t’i dërguar.
Rishikimi strategjik i mbrojtjes së Britanisë së Madhe të vitit të kaluar vuri në dukje se madhësia dhe gatishmëria e forcave të armatosura u zvogëluan me përfundimin e Luftës së Ftohtë dhe me tërheqjen e kërcënimit nga Bashkimi Sovjetik. Raporti theksoi se “vetëm një grup i vogël forcash” janë gati për t’u dislokuar në çdo kohë. Rishikimi vuri në dukje se ulja e numrit të trupave ndodhi paralelisht me një rënie të shpenzimeve për mbrojtjen.
Duke folur në Parlament, Starmeri tha se numri i trupave që do të dërgohen në Ukrainë “do të përcaktohet në përputhje me planet tona ushtarake, të cilat po i zhvillojmë dhe shpresojmë që anëtarët e tjerë do t’i mbështesin”.
Në Gjermani, sugjerimi i Kancelarit Merz për të dërguar trupa në vendet e NATO-s fqinje me Ukrainën gjithashtu duhet të miratohet së pari nga Bundestagu gjerman.
Anëtarë të tjerë të koalicionit të ttë vullnetshmëve kanë qenë më pak të qartë se si do ta ndihmojnë Ukrainën konkretisht, duke shtyrë zbulimin e kontributeve të tyre derisa të vendoset paqja.
“A do të jepnin të gjithë partnerët e Koalicionit të të Vullnetshmëve një përgjigje të fortë nëse Rusia do të sulmonte përsëri? Është një pyetje e vështirë. I kam pyetur të gjithë dhe ende nuk kam marrë një përgjigje të qartë,” u tha presidenti ukrainas Volodymyr Zelenski gazetarëve të mërkurën. Derisa të miratohen garancitë e sigurisë nga parlamentet dhe Kongresi i SHBA-së, “nuk mund t’i përgjigjemi pyetjes nëse partnerët janë të gatshëm të na mbrojnë,” shtoi ai.
Mungesa e mbështetjes amerikane – pengesa më e madhe
Pengesa më e madhe për praninë evropiane në Ukrainën e pasluftës vjen nga ajo që dikur ishte aleatja më e afërt e bllokut përtej Atlantikut. Të dërguarit e Trumpit që morën pjesë në takimin në Paris nuk arritën t’i qetësojnë shqetësimet evropiane nëse Shtetet e Bashkuara do të vinin në ndihmë të trupave të tyre po të shkelte Rusia kushtet e marrëveshjes.
Markus Reisner, historian ushtarak austriak dhe profesor në Akademinë Ushtarake Teresian në Vjenë, i tha DW-së se mesazhi kryesor i projekt-deklaratës së miratuar në Paris ishte të inkurajonte Shtetet e Bashkuara të angazhoheshin për të mbështetur një stacionim të ardhshëm evropian.
“Pa këtë garanci, ose më saktë, pa këtë angazhim nga Shtetet e Bashkuara, Europa nuk është e gatshme të vazhdojë. Kjo do të thotë se tani i takon Shteteve të Bashkuara të bëjnë angazhimin përkatës,” tha ai.
“Aktualisht, duket e pakonceptueshme që forcat e armatosura evropiane të vendosnin një prani në shkallë të gjerë në Ukrainë pa mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe pa aftësitë e saj ushtarake të specializuara, dhe pa garancinë e ndërhyrjes ushtarake amerikane në rast të një sulmi rus.” “Kjo është veçanërisht e vërtetë për sa kohë që Rusia i konsideron ushtarët perëndimorë në Ukrainë si objektiva ushtarake,” paralajmëroi Reisner./ DW