Sonte është nata kur emocionet arrijnë kulmin dhe skena e “Albania’s Got Talent” shndërrohet në vendin ku ëndrrat marrin formë. Pas javësh sfidash, emocionesh dhe performancash që kanë mbërthyer publikun, 11 finalistë ngjiten në skenë për të dhënë gjithçka në garën për çmimin e madh.
Është finalja që mbyll një rrugëtim të jashtëzakonshëm dhe hap një kapitull të ri për talentet që kanë guxuar të ëndërrojnë.
Çdo finalist vjen sonte me historinë e tij, me pasionin që e ka sjellë deri këtu dhe me performancën më të fortë që ka ndërtuar ndonjëherë.
Një finale që flet shqip në shumë forma dhe përfaqëson talente nga treva të ndryshme, kudo ku jetojnë shqiptarë, e po ashtu që një finale që për herë të parë vë përballë babë e bir, në një garë për çmimin e madh.
Ky prodhim i Vizion Plus ka ndërtuar një mozaik të rrallë artistik, ku bashkohen zhanre, kultura dhe energji të ndryshme. Nga vokalet që të prekin shpirtin, tek instrumentistë virtuozë, iluzionistë që sfidojnë realitetin, ventrilokuistë me humor inteligjent, kërcim tradicional shqiptar që ruan rrënjët tona kulturore, e deri te arti i cirkut dhe akrobacia që mbush skenën me adrenalinë.
Në këtë natë vendimtare, gjithçka kalon në duart e publikut. Në fund të të gjithë performancave, votimi hapet online, dhe kushdo, nga kudo në botë, do të ketë akses në website-in voto.vizionplus.tv për të mbështetur artistin e preferuar. Çdo person ka të drejtë deri në 10 vota. Ndaj sonte, publiku nuk është thjesht spektator por është vendimmarrës.
Një finale ku çdo performancë mund të bëjë diferencën dhe çdo votë mund të ndryshojë historinë.